Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ndaj vrasjes së një gruaje, vrasje kjo e cila u krye sot në Prizren, e që dyshohet se dorasi është vetë bashkëshorti i viktimës, transmeton Ekonomia Online.
Kurti është shprehur se institucionet duhet të ballafaqohen me krimin, për ta parandaluar apo për të vënë drejtësi.
Postimi i plotë:
Edhe një grua e vrarë. Edhe njëherë nga burri i saj. Sërish mekanizma shtetërorë disi pasivë.
Kësaj radhe në Prizren. Ndryshon vendi në Kosovën që nuk po ndryshon. Rast i dhimbshëm sa s’ka, i padurueshëm, por, jo edhe i rastësishëm. Përsëritja e rasteve të këtilla tregon se kemi të bëjmë me një dukuri, e jo një rastësi.
Shoqëria jonë duhet t’i thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave, e jo t’i qaset asaj me pasivitet apo ambiguitet, siç kanë bërë shpesh organet e shtetit.
Krimi është armik i shoqërisë e i zhvillimit. E institucionet duhet të ballafaqohen me krimin, për ta parandaluar apo për të vënë drejtësi.
Është për të ardhur keq, por shpesh shohim se institucionet tona kanë qasje të padrejtë, sidomos kur viktimat e krimit janë gratë. Nënvlerësimi i gruas, apo përbuzja, urrejtja e dhuna ndaj saj janë të papranueshme.
Shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur ato nga shoqëria, e në asnjë mënyrë nuk bën t’i lejojë të zënë vend në institucione.
Shpreh dhimbjen, solidaritetin dhe mbështetjen e Lëvizjes me të gjitha gratë viktima të diskriminimit, padrejtësive e krimit. Duhet të angazhohemi të gjithë që kjo gjë të ndryshojë. Urgjentisht!