Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar sot nga Brukseli se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit me Aleksandër Vuçiqin, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Lidhur me këtë temë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetar në këtë subjekt politik, Bedri Hamza, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net” ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi është duke ndodhur në mënyrë indirekte, pasi sipas tij, ka takime mes përfaqësuesve të lartë Bashkimit Evropian mes këtyre dy vendeve fqinje.
“Dialogu Kosovë – Serbi në mënyrë indirekte është duke ndodhur pasi ka takime mes përfaqësuesve të BE-së dhe institucioneve të Kosovës edhe të Serbisë dhe takimeve mes tyre, kryeministri duhet t’i besojë mirë dhe me kujdes vendimet e tij. Ne do ta mbrojmë interesin e vendit, do ta reprezentojmë vendin dhe do të veprojmë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, tha ai.
Tutje, Hamza tha se duhet të ketë koordinim dhe bashkëpunim me shtetet mike, si me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe me ato të Bashkimit Evropian.
“Duhet normalisht që diçka kur s’është në interesin e qytetarëve apo vendit të Kosovës, duhet të ketë koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Shtetet e Bashkuara, si dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh ai për Reporterin.
Mes tjerash, deputeti i PDK-së deklaroi se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, duhet të veprojë në bazë të përgjegjësive të tij që ka, si ligjore ashtu dhe politike.
“Kryeministri duhet të jetë në nivel të përgjegjësive të tij ligjore dhe kushtetuese edhe politike”, shtoi Hamza.
Në pyetjen se a do të jetë Partia Demokratike e Kosovës pjesë e dialogut me Serbinë, nëse do Kurti do t’i ftonte, Hamza tha se kontributi i subjektit politik ku bën pjesë ai, është brenda Kuvendit.
“Ne jemi pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe kontributin tonë do ta japim brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ata (pozita) kanë përgjegjësi, ne jemi pjesë e Kuvendit, kontributi jonë është brenda aty”, deklaroi Hamza.