Kurti rrëfen negociatat me LDK-në: Kemi qarë e kemi qeshur

Prishtinë | 02 Shk 2020 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka përmbledhur periudhën e gjatë të negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Marrëveshja e arritur mbrëmë, por e zyrtarizuar ditën e sotme përmes një konference të përbashkët për media mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafës, ndonëse nuk u zbulua në tërësi, u tha se do të përmbajë 15 ministri e 33 zëvendësministra.

Por, çështja kyçe në arritjen e marrëveshjes ka qenë dorëheqja e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, post të cilin në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet Qeveria Kurti, do të merret nga LDK-ja.

Ndërkaq Kurti ka treguar se në negociatat që çuan në arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës, ka pasur të “qara” e të “qeshura”, mirëpo, siç thotë ai, “përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë”

“Në negociatat me LDK-në, njëri-tjetrit, i kemi ofruar kërkesa e i kemi kërkuar oferta, jemi qarë e kemi qeshur, përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë”, thotë Kurti.

Ndonëse e pranon se janë vonuar me negociata, thotë se “nuk është tepër vonë, pa dyshim”.

“Moti jemi marrë vesh, tash kemi edhe marrëveshje. Do të qeverisim bashkë”, theksoi kreu i VV-së, Albin Kurti, duke i falënderuar të gjithë për “mbështetjen dhe durimin”.

Të ngjashme