Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka organizuar fushatën “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, raporton Ekonomia Online. Kryeministri Albin Kurti, tha se vitin 2023 mund të përmbyllet me 3.8 për qind rritje ekonomike. Ai shtoi se në muajin tetor inflacioni në vend ka arritur në 3.3 për qind që është vlera më e ultë në Ballkan, kjo sipas tij, fal punës së Qeverisë.
Ai tha se arsimi dual mundësohet në 12 profile të ndryshme dhe është duke u zhvilluar në 21 shkolla ne 14 komuna të vendit, duke shtuar se sistemi dual është i dobishëm ekonomikisht për individin edhe shtetin.
“Popullsi jonë e re është një nga pasurit tona më të mëdha. Po jetojmë një kohë të ndryshimeve të pa precedent. Këto zhvillime kërkojnë një fuqi punëtorë të aftë, pikërisht këtu në këtë ndryshim aftësimi dhe aftësimi profesional bëhen thelbësor për mirëqenie sociale. Është thelbësore të referojmë mbi zhvillimet ekonomikë në Kosovë”.
“Të hyrat nga taksat u rritën më 47 për qind. Investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Rritja jonë ekonomi në vitin 2022 ka qenë 5.2 për qind, këtë vit mund ta përmbyllim me një rritje 3,8 për qind. Në tetor inflacioni ka qenë 3.3 për qind që është më i ultë në gadishullin Ballkanik. Kjo fushatë është një thirrje për të njohur arsimin dual, sistemi dual do të thitë edhe karriera jo vetëm aftësim. Po angazhohemi që rinia jonë të aftësohet. Sistemi dual është i dobishëm ekonomikisht për individin edhe shtetin, sistemin dual duhet ta bëjmë si vlerë shoqërore”, tha ai.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se shteti i tij që nga viti 2017 është duke subvencionuar në Kosovë që sektori i arsimit dual të përmirësohet dhe të u mundësohet sa më shumë të rijnë të jenë të përfshirë në këtë sektor.
“Gjermania dhe Kosova ndajnë një histori të gjatë në sektorin e arsimit. Prioritet ka qenë që të rinjtë t’i bëjmë të përshtatëm për tregun e punës. Duhet të mburreni dhe duhet që të kenë një pagë të dinjitetshme. Arsimi cilësor do të sigurojë prosperitet dhe të ardhme. Iu sigurojë se Gjermani do të mbështes reformën e mësimit dual në Kosovë”, tha ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se arsimi dual ka qenë agjendë prioritare për MAShTI, sipas saj, deri më tani mbi 900 nxënës janë duke ndjekur arsimin dual në 12 profile të ndryshme, raporton EO.
“Arsimi dhe aftësimi profesional u jep zgjidhje dhe drejtim shumë ekonomive në botë, për këtë edhe Kosova po ec në hap me vendet e zhvilluara. Arsimi dual përshtate më së mirë më kohën dhe zhvillimet aktuale duke zhvilluar nxënësit tanë në shumë drejtime. Arsimi dual është mundësuar në 12 profile duale, ku janë 920 nxënës në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna”, tha ajo.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari Ambasador Jörn Rohde, Ambasador i Republikës Federale Gjermane në Kosovë,
I nderuari z. Stefan Thomas, Ekspert i Lartë i Kapitalit Njerëzor nga Fondacioni Evropian i Trajnimit,
I nderuari Taulant Kelmendi, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj,
Republika e Kosovës, e mbushur me energji dhe potencial rinor, është në një moment kyç në rrugëtimin e saj zhvillimor. Popullsia jonë e re është një nga pasuritë më të mëdha, andaj është detyrë dhe privilegj i yni t’i pajisim ata me mjetet, aftësitë dhe njohuritë që u nevojiten për të arritur suksese në tregun dinamik.
Po jetojmë në një kohë të ndryshimeve të paprecedentë. Ekonomia dhe zhvillimet teknologjike po evoluojnë me shpejtësi. Këto zhvillime kërkojnë një fuqi punëtore të aftë, të adaptueshme dhe inovative. Pikërisht këtu, në këtë kryqëzim të ndryshimeve globale dhe rritjes ekonomike në vendin tonë, Arsimi dhe Aftësimi Profesional bëhen jo vetëm të rëndësishëm, por edhe thelbësor për mirëqenien sociale.
Sot, ndërsa jemi mbledhur këtu për lansimin e fushatës për imazhin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, është thelbësore të reflektojmë mbi zhvillimet ekonomike në Kosovë, të cilat theksojnë rëndësinë e kësaj nisme.
Qarkullimi i ekonomisë sonë ka parë një rritje të jashtëzakonshme, nga 12.56 miliardë euro në vitin 2019, në 18.15 miliardë euro në vitin 2022, një rritje prej 44.5%. Të hyrat nga taksat në periudhën 2020-2022 u rritën me 47%, pa e ndryshuar politikën fiskale. Në fushën e tregtisë ndërkombëtare, eksportet tona në vitin 2022 arritën në 920.4 milionë euro, pothuajse duke u dyfishuar krahasuar me vitin 2020. Jemi në rrugën e duhur për të tejkaluar 1 miliardë euro eksporte këtë vit, një arritje që nënvizon dinamikën e ekonomisë dhe të eksportit tonë. Raporti ynë eksport-import ka pësuar përmirësime të ndjeshme, duke kaluar nga pothuajse 1:9 në vitin 2019, në më pak se 1:6 sa është aktualisht. Ky është një tregues i qartë i rritjes dhe diversifikimit të ekonomisë sonë.
Investimet në vendin tonë kanë qenë të fuqishme, me investimet e huaja direkte që janë dyfishuar për dy vite. Vetëm në vitin 2022, ne regjistruam 772 milionë euro në Investime te Huaja Direkte, në total prej 1.2 miliardë euro për dy vitet e fundit.
Rritja jonë ekonomike në vitin 2022 ishte 5.2%, dhe për vitin 2021 në një nivel impresiv prej 10.7%. Ndërkaq këtë vit duket se do të mund ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3,8%.
Inflacioni, një sfidë globale, është menaxhuar efektivisht në kohë. Nga një kulm i jashtëzakonshëm prej rreth 12% në janar të këtij viti, kemi arritur që brenda vetëm 10 muajve, në muajin tetor ta kemi inflacionin 3,3% që është më i ulëti në Gadishullin Ballkanik. Kjo është një dëshmi e menaxhimit tonë të shëndoshë fiskal dhe të qëndrueshmërisë ekonomike.
Por kryesorja në këto tri vitet e fundit është se si liria pra është bërë zhvillim, ndërkaq antikorrupsioni është bërë rritje. Për çdo vit ekonomisë i është shtuar së paku 1 miliardë euro, ndërkohë që më herët i janë nevojitur tre vite për 1 miliardë euro.
Vitalitetin e ekonomisë e pasqyrojnë edhe shifrat e punësimit sepse një rritje nuk duhet të ngelet te shteti, ajo duhet të reflektohet në shoqëri si punësim dhe mirëqenie. Nga shkurti i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2023, kemi parë një rritje prej rreth 60 mijë vendeve të punës, apo më shumë se 16% në më pak se 32 muaj. Sektori ynë i shërbimeve, që llogaritë 71.8% të bruto produktit vendor, ka qenë një kontribues i rëndësishëm në këtë rritje të punësimit.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Këta tregues nuk janë thjesht numra, shifra, por dëshmi e qëndrueshmërisë, punës dhe angazhimit të përbashkët të ndërmarrjeve, institucioneve, dhe punëtorëve të Kosovës. Andaj edhe lansimin e kësaj fushate sot, e bëj me besim se shteti ynë është në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Investimi ynë në arsim, veçanërisht në trajnimin profesional, është një komponentë strategjike, për shtetin dhe popullin tonë.
Duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual – tashmë në 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna – anekënd Kosovës, ne nuk do të plotësojmë vetëm vendet e lira të punës; por njëherit po ndërtojmë themelin për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Me këtë po i hapim dyert kreativitetit në vendin tonë, duke e përgatitur rininë tonë për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes.
Shteti dëshiron të ndihmojë ndërmarrësit, sepse koston që e paguajnë ndërmarrësit për aftësimin e punëtorëve le ta marrë shteti, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ashtu që për një diplomë shkolle të kemi një vend pune, me një punëtor të aftë sipas asaj diplome shkolle e për atë vend pune.
Të gjithëve na rastis në Kosovë që nganjëherë të takojmë edhe ndonjë akademik joprofesionist, por ne kemi nevojë si shoqëri për profesionalizëm joakademik. Pra, për njerëz të cilët kryejnë punë për rritje ekonomike, për mirëqenien familjare e për dinjitetin individual.
Bashkëpunimi ynë me Qeverinë gjermane e thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës. Duke mësuar nga modeli gjerman, qeveria jonë synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik; një sistem i cili i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve por edhe prindërve tanë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual. Andaj një thirrje e veçantë ua bëj të gjithë prindërve në Kosovë që të shqyrtojnë mundësinë e të inkurajojnë fëmijët e tyre për sistemin dual, në mënyrë që ta krijojmë këtë urë të qëndrueshme, të rëndësishme si për shtetin e ekonominë, ashtu edhe për familjen dhe qytetarin ndërmjet tregut të punës dhe aftësimit profesional.
Ky forum sot dhe kjo fushatë le të na shërbejë për këto partneritete, të cilat:
– Kompanitë t’i shprehin dhe t’i adresojnë nevojat dhe propozimet e tyre te Ministria e Arsimit, por edhe tek shkollat përkatëse në komunat e tyre. Nuk mjafton që shteti të shkojë te ndërmarrësi, ne inkurajojmë ndërmarrësin të vijë te shteti. Nuk mund t’i tregojë vetëm fakulteti, e kolegji, e universiteti sektorit privat se çka është mirë e si duhet, por edhe anasjelltas. Kemi nevojë një drejtim të përbashkët por me dy kahje.
– Odat t’iu ndihmojnë kompanive anëtare në mbledhjen e kërkesave dhe ideve me qëllim që nga viti shkollor 2024/25 të kemi hapësira të mjaftueshme nëpër shkolla profesionale për t’i përgatitur nxënësit; dhe
– Për nxënësit dhe prindërit: Kjo fushatë është sidomos për juve: Është një thirrje për të njohur mësimin dhe sistemin dual si një rrugë të qëndrueshme dhe të vlefshme drejt suksesit personal e profesional. Sistemi dual do të thotë edhe karrierë, jo vetëm aftësim.
Ndërsa e fillojmë këtë fushatë sot, po investojmë në burimin tonë më të vlefshëm, pra, rininë tonë. Po angazhohemi që rinia jonë të zhvillohet profesionalisht e që vendi ynë të jetë më i qëndrueshëm ekonomikisht. Po krijojmë mundësitë që të rinjtë të mësojnë, punojnë e të kontribuojnë në dhe për vendin e tyre, Kosovën.
Sistemi dual është i dobishëm ekonomikisht për individin dhe për shtetin. Por sistemin dual duhet ta bëjmë dhe ta afirmojmë si vlerë shoqërore. Njerëzit të cilët hyjnë në sistemin dual duhet të jenë krenarë që janë në sistemin dual. Vetëm në këtë mënyrë ne e bëjmë sistemin dual edhe vlerë shoqërore përveçse dobi ekonomike.
Të nderuar të pranishëm,
U falënderoj të gjithëve që jeni pjesë e këtij udhëtimi tonë të përbashkët kaq të rëndësishëm. Mbështetja juaj dhe besimi juaj në këtë proces, do ta shtyjnë këtë fushatë drejt suksesit. Andaj, le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën, për këtë gjeneratë, dhe për brezat që vijnë pas nesh.
Ju faleminderit.