Kurti-Sarrazinit: Shkuarja e kryetarëve të komunave në zyre është normale

Prishtinë | 27 Maj 2023 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ia ka bërë të qartë edhe të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se shkuarja e kryetarëve të komunave veriore në zyrat e tyre duhet të trajtohet si diçka normale.

Ndërkombëtarët kanë kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që përmes Policisë t’i asistojë kryetarët e tre komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan – për të hyrë në objektet komunale. Pati përplasje mes Policisë dhe protestuesve serbë gjatë së premten.

Por Kurti në takim me Sarrazinin ka theksuar respektimin e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill në komunat veriore.

“Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur. Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Të ngjashme