Albin Kurti nga dje është kryeministër në detyrë i Kosovës. Qeveria e tij u rrëzua nga një mocion i mosbesimit që u inicua nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i cili në Kuvend mori 82 vota pro.
Rrëzimi i Albin Kurtit nga qeveria nuk ishte kryelajmi i vetëm gjatë ditës së djeshme.
Në orët e mesnatës, Kurti mori vendim ta shkarkojë zëvendësin e tij të parë në qeveri, Avdullah Hotin, shkruan lajmi.net.
Mirëpo shkarkimi i Hotit u bë në formë tjetër nga ai i Agim Veliut. Në njoftimin e saj për shkarkim, qeveria nuk e bëri të ditur asnjë arsye se pse Hoti u largua nga pozita e zëvendëskryeministrit.
Krejt çka u tha në komunikatën e mbrëmshme është se Kurti mori vendim për lirimin nga detyra të Avdullah Hotit.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti”, ishte fjalia e vetme në komunikatë, ku bashkëngjitur me të ishte edhe vendimi në formë dokumenti.
Mosarsyetimi i vendimit për shkarkimin e Hotit, siç duket ka lënë të kuptohet se Kurti mund të vazhdojë ende me shkarkime të ministrave të LDK-së, për aq kohë sa qeveria e tij është në detyrë.
Rrethana të tilla nuk i mohoi as kreu i LDK-së, Isa Mustafa që me një postim në mëngjesin e sotëm tha se partia e tij nuk do t’i largojë ministrat nga qeveria, por që është në vullnetin e Kurtit nëse ai do të vazhdojë të punojë me ta gjatë kësaj gjendje emergjente, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç bëri mbrëmë me Avdullah Hotin.
“Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, tha mes tjerash Mustafa.
Ndërkohë që mbetet të shihen veprimet e Kurtit gjatë ditëve të ardhshme, në qeverinë që ai udhëheq tanimë si kryeministër në detyrë, janë edhe pesë ministra të LDK-së; Lumir Abdixhiku, Vlora Dumoshi, Hykmete Bajrami, Besian Mustafa e Anton Quni.
Kujtojmë, se prishja e koalicionit mes VV-së e LDK-së erdhi pikërisht pas një shkarkimi të njëanshëm që Kurti i bëri ministrit të partnerit të koalicionit, Agim Veliut.
Në vend të këtij të fundit, ushtrues detyre tanimë është Xhelal Sveçla i VV-së që në mandatin e kaluar kishte postin e deputetit.
Qeveria Kurti njëherit dje u bë qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës, duke u rrëzuar veç 51 ditë pas formimit të saj.