Kurti: S’do të kursejmë asgjë që Kompleksi Memorial në Prekaz të pasqyrojë dinjitetshëm qëndresën e familjes Jashari

Prishtinë | 05 Gus 2024 | 19:20 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e zbulimit të propozimit fitues për zhvillimin e masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka thënë se është i bindur që ai do të pasqyrojë dinjitetshëm qëndresën dhe luftën heroike të familjes Jashari për liri.

Kurti ka thënë se masterplani, i cili do të zë një hapësirë prej 450 hektarësh, do të ofrojë një interpretim dinjitoz për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, raporton Ekonomia Online.

“Do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari – rrëfim i cili do të kalojë barrierat kohore të brezit tonë, dhe ato hapësinore të vendit tonë. Dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht”.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm, dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”.

Më tej, Kurti tha se përmes vlerësimit profesional dhe ndërhyrjeve emergjente në Kompleks, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda Kompleksit është përmirësuar, teksa shtoi se masterplani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do të zë një hapësirë prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz.

“Në bazë të detyrës projektuese, të hartuar nga komisioni i ekspertëve dhe miratuar në qeveri, në maj kemi shpallur konkursin ndërkombëtar për hartimin e masterplanit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pas një periudhe të vlerësimit, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona publike dhe UP-ja, sot kemi propozimin fitues të masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që zë një hapësirë të gjithëmbarshme prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz”.

“Me kujdes e durim, i kemi përcjellur të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të kontratës për hartim të masterplanit do të vazhdojmë me veprime përkatëse për realizimin e planeve dhe projekteve përbërëse të masterplanit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve në mënyrë që të sigurohemi që hartimi i masterplanit të zhvillohet me efikasitet brenda dinamikës së paraparë brenda afatit kohor”.

“Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë por mundi u shpërblye. Ne kthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shtuar ndër të tjera kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërsa, nipi i ish-komandantit Adem Jashari, Bekim Jashari, tha se historia e Prekazit është historia e gjithë Kosovës, jo vetëm e luftës së saj, por edhe heroizmit.

“Gjithçka që ndodhi me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 është dëshmi e asaj qe ndodhi ne Kosovë, e krimeve të tmerrshme që bëri regjimi serb, por edhe dëshmi e luftës dhe heroizmit që ndodhi anekënd Kosovës. Vendi ku 26 vite më parë luanin fëmijët e lagjes sonë është shndërruar në një vend ku luajnë fëmijët e Kosovës së lirë”, ka thënë Jashari.

Premtimi i Qeverisë së Kosovës për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të duhej të realizohej në vitin 2021, shkruan AP. Qeveria e Kosovës ka kontraktuar “Gerber Architekten International GmbH & Donald Insall Associates & Barker Langham” me seli në Gjermani. E vlera e kontratës është mbi 7 milionë euro, gati 5 milionë më shumë sesa shuma e parashikuar.

Konsorciumi fitues përbëhet nga ndërmarrje ndërkombëtare Gerber Architekten Internacional nga Gjermania, Donald Insall Associates nga Mbretëria e Bashkuar, dhe Barker Langham nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë një përvojë të gjatë në zhvillimin e projekteve anembanë botës: në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, ndër të tjera.

Kontrata e nënshkruar parasheh hartimin e projekteve e planeve, ideore e zbatuese, gjithsej 21 produkte, ku përfshihen Master Plani për tërë Kompleksin Memorial; Projektet e Konservimit dhe Interpretimit të Kullave të Rezistencës, dhe monumenteve tjera në kuadër të kompleksit; Programin kuratorial; Planet e hollësishme rregulluese; Projektet për Fabrikën e Municionit dhe Gardën Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Puna në hartimin e këtyre planeve e projekteve, është parashikuar të realizohet brenda 22 muajve. Paralelisht me hartim të planeve, do të nisë edhe zbatimi i projekteve të përfunduara.

Të ngjashme