Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
“26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin ‘Nënë Tereza’, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor ‘Drita e Gonxhes’”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.
Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.
Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.
Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si në Prishtinë ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.