Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkarkuar këshilltarin politik të tij, Shkëlzen Gashi.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se, “sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi”.
Kurti ka shtuar se disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë.
“Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim. E falënderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka thënë Kurti.