Lëvizja Vetëvendosje po feston rizgjedhjen e Shpend Ahmetit si kryetar i Prishtinës, në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.
Në skenë për t’i thënë disa fjalë, doli edhe deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, megjithëse ai ndodhet në arrest shtëpiak, raporton Klan Kosova.
“Në vendim më shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj në një banesë, madje në një ndërtesë këtu afër sheshit, që po i bie se sheshi është oborri im, e sonte dola të festoj fitoren e Ahmeti në oborr”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti e quajti Ahmetin, kryetar i tanishëm i Prishtinës, i ardhshëm dhe i vazhdueshëm.
“Fitorja jonë është fitore e madhe, këtë e dinë të gjithë. Katër vite do t’i shërbejmë secilit fshat të komunës, secilës lagje, që qytetarët të kenë jetë me dinjitet e mirëqenie, pa dallim moshe, gjinie, feje a partie”.
“Ahmeti ka 365 vota më shumë se se ai tjetri, pra ka aq ditë sa ka viti. Sa ditë i ka viti, aq vota më shumë ka Shpendi. Shpendi do të jetë këtu edhe katër vjet për juve dhe me juve, përgjithmonë ju mbajmë në zemër”, u shpreh Kurti, i cili kohëve të fundit pothuajse çdo fjalim e përmbyll me poezi ose rima.
Express raporton se krahas Kurtit, të njëjtën masë e ka shkelur edhe bashkëpartiakja e tij, Donika Kadaj-Bujupi, duke marrë pjesë në mbrëmjen e së dielës në tubimin e organizuar nga partia, në sheshin kryesor të Prishtinës.
Kurti e Kadaj-Bujupi ishin arrestuar të premten, pasi për disa herë nuk ishin paraqitur në gjykim, për rastin që ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.