Kurti shkoi, mbaroi farsa e ndryshimit

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 22:24 | Nga Dardan Molliqaj

Qytetarët e Kosovës votuan duke shpresuar në ndryshim. Atyre iu premtua një Kosovë ndryshe. Kurse sot me zhgënjim e keqardhje, po e shohin atë për të cilën i paralajmëruam. Kosova e humbi shansin për ndryshim, e humbi shansin për qeveri progresive.

Nuk ka mundur të ndodhte ndryshe. Rënia e Kurtit nuk është rastësi. Është çasja e tij ideologjike. Është synimi i tij që të ketë pushtet absolut në Kosovë. Që të jetë i vetmi njeri që pyetet për Kosovën. Dhe që kur nuk pyetet e i cenohen planet për pushtet absolut, e lë Kosovën mu në mes të një pandemie mbarë-botërore.

Në rrethanat e Kosovës, ortodoksia bolshevike shndërrohet në popullizëm të dobët postmodern. Në vend të luftës kundër sistemit neoliberal, kemi PR antikorrupsion. Kjo shihet në program qeverisës. Kurse antiimperializmi, bëhet një kërkesë kokëfortë për tu bërë aleati i vetëm i perandorisë. Kjo shihet tek lufta e Kurtit me Thaçin për ta fituar Amerikën.

Kurti nuk po bie sepse mbajti qëndrim parimor dhe gjithë bota u çua kundër tij. Jo. Kurti nuk mbajti qëndrim për të forcuar pozitën e Kosovës në negociata. Kurti nguli krye vetëm që ta përmirësojë pozitën e tij personale në raport me SHBA-të, dialogun dhe politikën e brendshme në Kosovë.

Shumë pak kohë u desh që Albin Kurti të dalë sheshit me pamjen e ti të vërtetë. Pa maskë. Të shpaloset si edhe një nga politikanët që interesohen vetëm për pushtetin e pozitën e tyre dhe asgjë tjetër përtej.

Ashtu siç e kishim thënë para më shumë se dy vitesh, do ta themi edhe sot: popullizmi nuk është zgjidhja. Kosovës i duhet një qeverisje e majtë, demokratike, internacionaliste, anti-bolshevike dhe anti-populliste. Kosovës i duhet një subjekt i majtë progresiv, që ka projekt për barazi e zhvillim dhe që ka çasje të duhur e plan të mirëmenduar për ta përfunduar dialogun me Serbinë.

Të ngjashme