Ndër të tjera Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku gjatë vizitës që patën në Podujevë, inspektuan edhe punimet në Qendrën Multifunksionale, raporton Ekonomia Online.
Gjatë vizitës Kurti e Çeku u shoqëruan edhe nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Kurti nga aty tregoi për investimin që kanë bërë dhe pagesat që janë bërë deri më tani.
Kurti tha se projektet infrastrukturore në qytet po ecin me ritëm të shpejtë, duke përmendur edhe tribunat e reja të stadiumit “Zahir Pajaziti” dhe punimet intensive në pishinën gjysmë olimpike.
“Te stadiumi Zahir Pajaziti vendosëm gurthemelin për tribunat e lindjes ku do të ketë edhe ndriçim e natyrisht edhe shtim të ulëseve dhe kulme për tribunat ndërkaq tek pishinat gjysmë olimpike pamë se me çfarë intensiteti të lartë po zhvillohen punimet për më pak se gjashtë muaj për një pishinë për gara dhe një tjetër për fëmijë. Këtu jemi tek qendra multifunskionale e cila vlerën e gjithmbarshme e ka afër një milionë euro, ndërkaq mbi 80 për qind të pagesave tashmë janë bërë ndërkaq, këtu kanë ngelur punët përfundimtare siç janë tavani, dyshemeja, pastaj fasada, dhe besoj që edhe këtu do të vijmë së shpejti që ta përurojmë këtë objekt i cili është shumë i rëndësishëm për Komunën e Podujevës dhe për aktivitetet kulturore, artistike për të gjithë llapjanët”, ka thënë Kurti.
Ndërsa kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se ka progres të dukshëm në projekte.
“Sot bëmë përurimin e stadiumit të qytetit por njëkohësisht të vizitojmë dy prej projekteve të rëndësishme për qytetarët tanë, tashmë po e shihni që jemi në fazën finale të përmbylljes të këtij projekti ndërsa pamë një progres jashtëzakonshëm në pishinën gjysmë olimpike, nuk do të jetë në pyetje 36 muajshe kontrate por shpresojmë që do ta përfundojmë brenda 24 muajve, është proces shumë i përshpejtuar dhe po na gëzon që po i kryejmë sa më shpejtë këto projekte”, deklaroi Bulliqi.


