(E përditësuar) Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministër, Albin Kurti, ka shpalosur platformën e tij për mandatin e ri 4 vjeçar për drejtimin e organizatës politike, raporton Ekonomia Online. Ai ka ftuar anëtarësinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e brendshme. Në fillimin e fjalimit të tij […]
Kurti shpalos 10 pikat programore të platformës së tij për kryetar të LVV-së

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e tij para anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se fitorja e kësaj partie në zgjedhjet e kaluara është meritë e kryeministrit Kurti.
Në fjalimin e tij hyrës, Konjufca e quajti Kurtin si “kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i VV-së”.
“I nderuari kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Të dashur aktivistë, më vjen keq që nuk jam fizikisht aty me juve, por me shpirt e me zemer e me mendje. Ndodhem në Shqipëri për një vizitë zyrtare këtu. Por, më vjen mirë që jemi bashkë e të mund t’ju drejtohem”, u shpreh fillimisht Konjufca.
Në tubimin ku Kurti po prezanton programin e tij për mandatin e ri, Konjufca e quajti Kurtin të pathyeshëm e vizionar, duke thënë se VV-ja ndihet me fat që kanë sipas tij Kurtin në krye të partisë. Këtë fat, sipas tij nuk e kanë partitë tjera.
“Neve na besoi populli sepse jemi të drejtë, të pakorruptuar, kombëtar e të panënshtruar. Ne arritëm këtu ku jemi edhje falë një fakti tjetër shumë të rëndësishëm. Ne e patëm po ashtu një drejtues të pathyeshëm, dhe vizionar, shumë të përgatitur e të sinqertë. Modest për vete dhe shumë i vendosur për të mirën e popullit, dhe ky është Albin Kurti. Në fund të viteve të 90-ta, kur populli ynë ndodhej përpara mizorisë së gjenocidit të Serbisë, ai e ndau fatin e vështirë bashkë me popullin e vet dhe pastaj si një i burgosur politik ishte shembull i qëndresës që frymëzoi edhe të tjerët me këtë qendrës. Gjithnjë ishte i gatshëm që ta jepte edhe jetën në ato rrethana. Pas themelimit të VV-së, edhe gjatë aktiviteteve tona të panumërta, ai ishte i pari i gatshëm për sakrificë, i pari që arrestohej dhe gjithsesi me imunitetin më të lartë në mesin tonë edhe ndaj presionit edhe ndaj privilegjit”, tha ai.
Madje Konjufca thotë se Kurti kurrë nuk drejton i vetëm, dhe këtë e thotë në cilësinë e një dëshmitari, pasi që ishte bashkëthemelues i VV’së së bashku me Kurtin.
“Më vjen mirë që jemi në këtë moment dhe që përpara nesh do ta kemi njeriun i cili na drejtoi deri këtu, por njeriu i cili kurrë nuk drejton i vetum dhe i vetmuar. Unë këtu po flasë si një dëshmitar, si një bashkëthemelues i VV’së, së bashku me Albin Kurtin, si një bashkaktivist, i cili kemi qenë në krahë të njëri-tjetrit për gjatë gjithë kohës. Po e jap dëshminë time, që Albin Kurti nuk është njeri që drejton individualisht”, tha Konjufca.
VV-ja shpalos platformën e organizatës “Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”
Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur platformën e organizatës “Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”, me ç’rast kreu i kësaj partie, Albin Kurti ka shpalosur programin e tij për të fituar edhe një mandat në krye të kësaj partie, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht, folën, kryetari i degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia dhe kandidatja e organizatës “Gratë për Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu.
Kryetari i Degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, pati fjalë të mëdha për kreu e partisë njëherësh kryeministër, Albin Kurti.
Ai tha se për këto vite, emri i tij është lidhur me drejtësi e me punë të palodhshme.
“Ne synojmë me gratë e vajzat drejtësinë, me djemtë drejtësinë e me popullit barazinë. Ne këmbëngulim për ndryshimin e gjendjes. Para 100 ditësh shënuam themelimin e Lëvizjes Vetëvendosje. 17 vjet ide, punë e angazhim. Këtë vit të 17-të ka nevojë për frymën, vullnetin e vendosmërinë. Kryeministri jonë sot e shpalos kandidaturën e tij për 4 vjetët e ardhshme. Në gjithë këto vjet emri i tij është lidhur më vendosmërinë e punën e palodhshme dhe drejtësinë për qytetarët. I palëkundur i vendosur dhe me vizion të qartë ky është drejtuesi ynë Albin Kurti”, u shpreh Vitia.
Kandidatja për Kryetare e organizatës “Gratë për Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, tha se rrugëtimi i grave në këtë parti ka një historik të gjatë dhe sipas saj jep një kuptim përpjekës së tyre. Tha se vetëthemelimi i platformës “Gratë për Vetëvendosje” është menduar për të krijuar hapësira që gratë të jenë të përfaqësuara në të gjitha nivelet.
“Ky rezultat është puna dhe mundi i grave dhe vajzave ndër vite të cilat kanë kërkuar drejtësinë. Aktivistet i kanë sjellë aksionin, pra nuk është vetëm një feminizëm por për luftë të barazisë e drejtësisë. Përpjekja e grave përmban zjarrin dhe vrullin e VV-së. Ne kemi trashëguar histori të grave të Kosovës, gratë e pajtimit të gjaqeve, gratë në UÇK, e kështu më radhë. Në zgjedhjet e fundit mbi 50 për qind e vota për VV-në erdhën nga gratë, dhe fitorja ju takon vajzave dhe grave”, tha Haxhiu.
Tutje, Haxhiu paraqiti platformën e saj, e cila sipas saj parasheh barazi për gratë dhe vajzat.
“25 për qind janë vajza dhe gra ndërsa 75% burra. Ne do të punojmë që asnjë rast i seksizmit të mos mbetet i pandëshkueshëm. Nuk e pranojmë më gjuhën fyese. Jam e bindur që do të arrihen me punën e madhe të aktivisteve të VV-së dhe grave e vajzave që do të bashkohen. Ajo çka na duhet është te jemi bashkë për njëra tjetrën dhe zotohem se do të luftoj për këto parime pa kursim”, tha ajo.













