Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës të tij, në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për ambasadorin William Walker, tha se shqiptarët nuk do ta harrojnë as një herë emrin e tij.
Ai tha se Walker mbetet miku i mirë i kohërave të vështira të Kosovës që me raportimin e tij mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës na siguroi ndihmë nga NATO-ja.
“Në kohëra të vështira historike njësoj siç në periudha krizash personale një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë janë kohërat e vështira që mund ta sjellin një të tillë. Në traditat tona një mik i mirë është një figurë shumë e rëndësishme dhe e respektuar e cila nderohet deri në paprekshmëri sipas kodeve tona zakonore shqiptare të mikpritjes që është vlerë e theksuar e jona”, u shpreh Kurti.
Kurti, tha se ambasadori Walker me raportimet e tij ndryshoi perceptimin ndërkombëtar mbi luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Më 1998, Ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të komisionit verifikues të OSBE-së për të parë nëse forcat serbe po vepronin në përputhje të marrëveshjes së tetorit të Kombeve të Bashkuara për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të zbatuar armëpushimin. Ky mision për Kosovën ishte lehtësisht i verifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij komisioni”.
“Në fillet e para të UÇK-së duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe tekniket e saj UÇK-ja ishte konsideruar si terroriste dhe ekstremiste. Dhe ishte pikërisht komisioni verifikues i OSBE-së që me raportime nga terreni për zhvillimet në Kosovë do të ndihmonte ndryshonte perceptimin ndërkombëtar mbi UÇK-në dhe do të siguronte ndihmë nga NATO-ja”, tha Kurti.
E ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci tha se Walker në çdo vizitë të tij qoftë këtu apo jashtë Kosovës vazhdon që ta mbrojë luftën e Kosovës.
“Titulli “Doctor Honoris Causa” është titull i vjetër akademik dhe shërben për të njohur një kontribut. Ai e meriton këtë titull të lartë nderi. Në çdo vizitë të tij qoftë këtu apo jashtë Kosovës ai vazhdon që ta mbrojë Kosovën për luftën. Është e vërtetë se masakra e Reçakut nuk është as e para as e fundit në Kosovë. Secili apo secila i kemi trishtimet e ftohta për dhunën nga forcat serbe. Në masakrën e Reçakut e veçanta qëndron në bujën që bëri” tha ajo.
Edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se ambasadori Walker çdo herë do të jetë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, si një njeri që ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë në jetën e tyre.
“Në emër të qytetarëve të Komunës së Pejës i dëshiroj ambasadorit shëndet dhe jetë të gjatë, duke i thënë se çdo herë do të jetë në zemrat tonë, si njeri që ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë për jetën tonë”, ka thënë Muhaxheri.