Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar programin qeverisës para anëtarësisë së saj.
Ai ka thënë se qeveria që do të udhëheq do të jetë llogaridhënëse. Do ta ndalin korrupsionin dhe “do t’ia ndritin fytyrën Kosovës”.
Ndërsa ka thënë se e kanë “alternativën” për zgjidhjen e problemit të demarkacionit, bërjen e ushtrisë dhe integrimin e Kosovës në NATO, raporton Ekonomia Online.
“Do ta bëjmë Kosovën me ushtri, do të nisim pa vonesë bisedimet me të gjithë për formimin e ushtrisë dhe anëtarësimin në NATO”, ka thënë ai.
“Qeveria jonë do të nis bisedimet direkte me qeverinë e Malit të Zi me synimin arritjen e një marrëveshje të re për përcaktimin e vijës kufitare”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se prodhimi bujqësor e industrial duhet të përkrahen nga qeveria dhe këtë do ta bëjnë.
“Me qeverisjen e VV nuk do të ketë kompani të oborrit qeveritar”.
“Qeveria e VV-së do të sjell zhvillim të qëndrueshëm, integrim të plotë të serbëve përmes dialogut të hapur me ta. Do të ndërtojmë partneritet të mirëfilltë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kanë program të mirëfilltë edhe sa i përket ekonomisë.
Ndërsa tha se në qeverisjen e VV-së, nuk do të ndjehet askush i pasigurt.
“Në ekonomi nuk duhet lejuar njerëzve të rrezikojnë, por duhet t’u mundësohet të rrezikojnë. Qeveria e VV-së do t’i sigurojë vendimmarrësit që të jenë më të sigurt kur ata rrezikojnë. Ky mirëkuptim do të shprehet në politikat sociale.”, ka thënë ai.
Sipas tij plani zhvillimor do të bëhet nga Agjencia Zhvillimore, ndërsa Agjencia e Privatizimit do të shuhet.
Sipas Kurtit do të zbatojnë shtesa në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeçare.
“Do të bëjmë sigurime shëndetësore për të gjithë, do të bëjmë ndryshimin dhe zbatimin e tij pa vonesë, do të bëjmë sigurimin e jetës së policëve dhe zjarrfikësve”, ka thënë ai.