Kryetari Albin Kurti dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Boiken Abazi, pritën sot ambasadorin e Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike, përfshirë këtu Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Kryetari Kurti shpjegoi në takim se dy problemet kryesore për Kosovën janë papunësia enorme dhe ndarja e qytetit të Mitrovicës. Problemi i parë lidhet me korrupsionin dhe modelin e gabuar ekonomik që është zbatuar në Kosovë, ndërsa i dyti lidhet me ndërhyrjen që Serbia vazhdon të bëjë në Kosovë përmes strukturave të kontrolluara dhe financuara prej saj.
Më tej, kryetari Kurti shpjegoi hapat e propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në lidhje me vlerësimin e brendshëm të dialogut të deritanishëm me Serbinë, si dhe për nevojën e një dialogu të brendshëm e demokratik, të hapur e transparent, mes aktorëve politikë dhe shoqërisë civile në Kosovë për të arritur një konsensus lidhur me kërkesat e kushtet, synimet e kornizat e dialogut në të ardhmen.