Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është takuar sot me përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore dhe Jens Erik Grøndahl, ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë.
Në një komunikatë nga VV thuhet se Arne Sannes Bjørnstad e ka uruar Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor nga Norvegjia shprehi interesim për zhvillimet politike në Kosovë dhe për dialogun Kosovë – Serbi.
“Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet e ka forcimin e shtetit në të gjitha fushat, në drejtësi, në ekonomi e në atë sociale”, thuhet në njoftim.
Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, Kurti ka thënë se duhet të nxjerrin mësimet nga e kaluara në mënyrë që dialogu të jetë i përgatitur mirë, me parime të qarta, dhe kësisoj të jetë solid.