Kurti takohet me përfaqësues të grupit të inovacionit “Yes-EU”, flasin për investime në energji

Prishtinë | 11 Qer 2024 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, ka takuar përfaqësues nga grupi i inovacionit “Yes-EU”, e specializuar në projekte të energjisë, raporton Ekonomia Online.

“Grupi “Yes-EU” është i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inovacionit për projekte të ndryshme të zbatuara, të fokusuar dhe specializuar në projekte të energjisë, me theks në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme si dhe transportit të gjelbër. Kurti i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për interesimin e tyre për ta njohur vendin tonë dhe hulumtuar mundësitë për investime në vend”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, kryeministri i prezantoi përfaqësuesit e “Yes-EU” me zhvillimin e progresin ekonomik që ka njohur vendi ynë në tri vitet e fundit e veçanërisht avancimet në fushën e energjisë dhe teknologjisë, përkatësisht investimet në këto sektorë.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për investime të gjelbra me synim reduktimin e emetimit të karbonit dhe promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

Të ngjashme