Për njëmbëdhjetë dhjetë vjet Iowa luajti rol kyç në ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në të bërit e Kosovës kontribuese të sigurisë në botë, duke e përfshirë FSK-në në misionet e ruajtjes së paqes.
Në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për shërbimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë.
Ai theksoi angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë për ngritjen profesionale të FSK-së.
Synimi ynë është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë, tha kryeministri Kurti.
Ai nënvizoi nevojën për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për FSK-në.
Lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, pas agresionit dhe invazionit të Rusisë në Ukrainë, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe siguri në rajon dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku.