Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me anëtarin e Kryesisë së kësaj lëvizjeje Xhelal Sveçla, kanë takuar kandidatët për deputetë nga komuniteti boshnjak, egjiptian dhe ashkali, Emilija Redžepi, Duda Balje, Artan Berisha, Veton Berisha dhe Hetem Arifi.
“Me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor, për planet e qeverisë së re, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për shtetndërtim demokratik dhe progres socio-ekonomik”, thuhet në njoftimin e VV-së, transmeton Klan Kosova.
“Kryetari Kurti i njoftoi se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri”.
Kurti thuhet se ka siguruar përfaqësuesit e komuniteteve që qeveria e tij do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë kombëtare.
Ai ka theksuar se përparimi i komuniteteve pakicë bëhet përmes zhvillimit ekonomik dhe se kjo do të jetë prioritet me qeverinë e re.
“Në përfundim të takimit shprehëm gatishmërinë për ta vijuar dhe zgjeruar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh”.