Kurti takon shkrimtarin turk Orhan Pamuk, thotë se ishte i interesuar për Kosovën e Ballkanin

Prishtinë | 04 Qer 2024 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Stamboll, shkrimtarin turk, Orhan Pamuk, me të cilin tha se ka diskutuar për disa orë, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit kosovar, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se nuk po i besohej se fituesi i çmimit nobel për letërsi, po e ftonte për darkë.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Kurti qëndroi në Turqi ku mori pjesë në forumin ekonomik Kosovë-Turqi, por pati takime edhe me krerë të shtetit turk, siç ishte pritja nga presidenti Reccep Tayip Erdogan.

Të ngjashme