I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se subjekti i tij do t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.
Ai tha se më pas do të kërkojnë një partner të vogël për të formuar Qeverinë, duke shtuar se nuk beson se pas zgjedhjeve, koalicionet parazgjedhore, do të mbijetojnë.
“Më 11 qershor ne do ta mbrojmë fitoren tonë. Më 12 qershor, do ta festojmë fitoren tonë dhe më pas do të shohim se çka ka mbetur prej këtyre dy koalicioneve, që unë nuk besoj se do të mund të mbijetojnë edhe pas zgjedhjeve”.
“Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e hapur për bashkëpunim, mirëpo si subjekt i parë që do të dalë nga këto zgjedhje, do ta marr një partner të vogël, varësisht se sa e çka mbetet prej këtyre koalicioneve. Kur të vijmë te ajo urë e kalojmë”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.