Kurti tha se takimi me Vuçiqin në Bruksel është shtyrë me kërkesë të Serbisë, reagojnë nga Beogradi

Prishtinë | 21 Kor 2022 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka folur për një takim të nivelit të lartë mes tij e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ishte planifikuar të mbahej këtë javë në Bruksel.

Kryeministri tha se ky takim është shtyrë me kërkesë të palës serbe. Ai e a akuzoi palën serbe se po tregohet destruktive në dialog.

“Ne jemi konstruktiv e përkushtuar por qartazi Beogradi është në anën e kundërt të sjelljes sonë. Ka pasur që të ndodhë në këtë javë një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë midis meje dhe Serbisë, mirëpo janë sërish ata që kanë kërkuar të shtyhet kjo gjë. Çfarë do pretekste që përdoren janë përpjekje për t’u shfajësuar”, ka thënë Kurti në konferencën për media.

Lidhur me këtë deklaratë kanë reaguar nga Beogradi zyrtar.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se Albin Kurti nuk mund ta akuzojë Beogradin për bllokim të dialogut, ndërsa në të njëjtën kohë siç ka thënë ai nuk zbaton marrëveshjet e Brukselit, veçanërisht atë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Beogradi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiq, do të jetë gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjet çdo thirrjeje për dialog, por dialog produktiv mund të bëhet vetëm me një bashkëbisedues të besueshëm dhe konstruktiv, gjë që Kurti nuk është dhe nuk ka qenë kurrë”, tha Petkoviq për Tanjugun serb.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës ka konsideruar se nuk është tragjedi dështimi i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas, tij pas vlerësimit të situatës është vendosur që të organizohet më vonë një takim, po që të jetë, siç e ka quajtur ai, i mirë.

Ai ka thënë se takimi mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiq nuk duhet të vonohet, ky takim duhet të ndodh më së largu deri në fillim të shtatorit.

Të ngjashme