Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë : Do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij

Prishtinë | 30 Tet 2023 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të tretë në pak më shumë se dy vjet ka mirëpritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.

Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.

Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Të ngjashme