Kryeministri, Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e ka themeluar Komitetin Ndërministror që do ta përzgjedhë dhe monitorojë procesin e zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Sot qeveria jonë ka marrur një vendim të rëndësisë së veçantë. Kemi themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, shkruan Kurti në Facebook.
“Këtë mekanizëm do ta udhëheq personalisht, për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces. Anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i OVL të UÇK-së”.
Kurti shtoi se profesionistë nga Ministria e Kulturës ka nisur ta vlerësojë gjendjen ek ullave, dhe qeveria ka gatishmërinë e plotë për të ndërhyrë në sanimin e këtyre strukturave.
“Ndërkohë, një ekip profesionistësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur vlerësimin e gjendjes së kullave në këtë kompleks. Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë”.
“E radhës do të jetë shqyrtimi i detyrimit themelor të këtij komiteti, projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”.
Qeveria e Kosovës sot ka emëruar grupit ndërministror për zgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.