Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ditën e dytë të Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, raporton Ekonomia Online. Kurti para të pranishmëve tha se po punohet për ta mposhtur racizmin dhe të mundur pabarazinë.
Kurti theksoi se që nga fillimi i qeverisjes kanë vendosur prioritet dhe vizion për drejtësi për të gjithë pa dallim. Ai ka folur, edhe për të drejtat e komuniteteve romë e ashaklinj, për të cilët tha se më 2022 është miratuar një strategji e parë, ku lufta kundër diskriminimit përfshihet si komponentë në vetvete.
“Ne jemi këtu sot së bashku me zotimin për t’u përballur me diskriminimin racor, për të mposhtur racizmin e për ta luftuar pabarazinë. Që nga fillimi i qeverisjes sonë, kemi vendosur prioritetet dhe vizionin tonë për drejtësi për të gjithë pa dallim. Për ta realizuar këtë vizion, duhet të përballemi me padrejtësitë të cilat ekzistojnë, e posaçërisht me diskriminimin”.
“Prandaj, Strategjia jonë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, e cila është miratuar në vitin 2022, është strategjia e parë ku lufta kundër diskriminimit përfshihet si komponent në vetvete. Për të ruajtur bashkësinë ne duhet ta luftojmë diskriminimin e për të trajtuar rastet e diskriminimit duhet ta bëjmë këtë aty ku ai është më së shumti i pranishëm: ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Andaj edhe kemi krijuar mundësinë e raportimit në platformën ‘Raporto Diskriminimin.org’, të lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në vitin 2022, ku ne ftojmë që të raportojmë jo vetëm romët, egjiptianët e ashkalinjt, por të gjithë qytetarët për diskriminimin kudo që e hasin atë. Deri më tani qytetarët e vendit tonë kanë raportuar raste të ndryshme në kompani private, në institucione shëndetësore, në polici dhe në universitete. Ekipi ynë ka shqyrtuar çdo rast të raportuar dhe ekspertët ligjorë kanë dërguar rastet tek institucionet përkatëse për të ndërmarrë veprime kolektive”.
“Unë e kuptoj që politika është betejë e ideve, por qeverisja është shërbim demokratik, andaj tek unë mund ta gjeni kryeministrin i cili është këtu si një kryeshërbëtor para se të gjithash e mbi të gjitha, për ata të cilat i kanë nevojat më të mëdha dhe të drejtat më të shkelura. Unë uroj që deri në fund të ditës, nga samiti të dilni me ide të reja, kontakte të dobishme dhe frymëzim të shtuar”.
Deputeti i Kuvendit të Kroacisë, Veljko Kajtazi, tha se komuniteti rom ka vuajtur shumë në luftën për Pavarësinë e Kosovës, prandaj sipas tij, është shumë i nevojshëm bashkëpunimi për të luftuar racizmin.
“Synojmë që përmes bashkëpunimit të luftojmë racizmin dhe çdo diskimin tjetër. Nuk duhet harruar se komuniteti rom ka vuajtur shumë në luftën për Pavarësinë e Kosovës. Dëshiroj që miqtë tanë të jenë mirë të organizuar politikisht”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Beate Elsasse, Shefe e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Kosovë,
I nderuari z. Sylejman Elshani, Zëvendës Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Isak Skenderi, Drejtor ekzekutiv, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve,
E nderuara znj. Ljatifa Sikovska, Deputete e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuari z. Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mosdiskriminim,
Të nderuar përfaqësues dhe pjesëmarrës, Zonja dhe zotërinj,
Ne jemi këtu sot së bashku me zotimin për t’u përballur me diskriminimin racor, për të mposhtur racizmin e për ta luftuar pabarazinë. Që nga fillimi i qeverisjes sonë, kemi vendosur prioritetet dhe vizionin tonë për drejtësi për të gjithë pa dallim. Për ta realizuar këtë vizion, duhet të përballemi me padrejtësitë të cilat ekzistojnë, e posaçërisht me diskriminimin.
Prandaj, Strategjia jonë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, e cila është miratuar në vitin 2022, është strategjia e parë ku lufta kundër diskriminimit përfshihet si komponent në vetvete. Për të ruajtur bashkësinë ne duhet ta luftojmë diskriminimin e për të trajtuar rastet e diskriminimit duhet ta bëjmë këtë aty ku ai është më së shumti i pranishëm: ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Andaj edhe kemi krijuar mundësinë e raportimit në platformën “Raporto Diskriminimin.org”, të lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në vitin 2022, ku ne ftojmë që të raportojmë jo vetëm romët, egjiptianët e ashkalinjt, por të gjithë qytetarët për diskriminimin kudo që e hasin atë. Deri më tani qytetarët e vendit tonë kanë raportuar raste të ndryshme në kompani private, në institucione shëndetësore, në polici dhe në universitete. Ekipi ynë ka shqyrtuar çdo rast të raportuar dhe ekspertët ligjorë kanë dërguar rastet tek institucionet përkatëse për të ndërmarrë veprime kolektive.
Këto veprime janë veprime të institucioneve të cilat i pasojnë raportimit, meqenëse raportimet të cilat nuk bëhen veprime nuk kanë dobi e nganjëherë ngjajnë edhe kundërproduktive, prandaj kolektivisht ne marrim përgjegjësi që fjala e cila na vjen për një diskriminim kudo të bëhet veprim i yni ndaj atij diskriminimi. Pra po e pranojmë, hulumtojmë dhe adresojmë praninë e diskriminimit racor në shoqërinë tonë. Veprime të tjera të Qeverisë, drejt barazisë, janë edhe dy nisma online të ekzekutivit – është Kosova Generation Unlimited dhe Superpuna. Kosova Generation Unlimited është një nismë e qeverisë në bashkëpunim me UNICEF-in dhe bizneset.
Ofron praktikë me pagesë për të rinjtë e moshës 16-24 vjeç. Në anën tjetër, Superpuna është një nismë e qeverisë për të subvencionuar të rinjt e moshës 18-25 vjeç. Çfarë kemi parë në këto dy iniciativa është se si ndikon elementi online në punësimin e grupeve të diskriminuara. Pasi lidhja mes punëdhënësit dhe punonjësit të mundshëm bëhet në mënyrë digjitale, CV-të apo biografitë shqyrtohen pa informacion për përkatësinë etnike. Pra ata që i trajtojnë këto CV nuk e dinë përkatësinë etnike të personit. Kjo ka eliminuar një pjesë të diskriminimit që përndryshe mund të ndodhë gjatë procesit të intervistimit. Ne e dimë se kur lexojmë një tekst mendja dhe vëmendja është e ndikuar prej titullit të atij teksti, e ne kemi nevojë të bëhemi bashkë në universalitetin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, ku përqendrohemi në substancë e jo në titull.
Njëherë substanca e në fund titulli, jo titulli në fillim që të mos ketë substancë fare. Sundimi i ligjit kuptim tjetër nuk ka. Barazia nuk është destinimi, është pikënisja. Ne duhet të fillojmë si të barabartë, nëse nuk e trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë, nëse nuk e vëmë para se të gjithash e mbi të gjitha atë që e kemi të përbashkët e jo atë që eventualisht mund të na dallojë, atëherë nuk mund të kemi demokraci, liri dhe të drejta. Prandaj edhe me këtë platformën online ne jemi kujdesur që përmbajtja, substanca t’i paraprijë formës, t’i paraprijë titullit.
Me investime nga qeveria në iniciativën Kosova Generation Unlimited, synojmë që 15% e praktikave të ofruara të jenë për të rinjtë nga komunitetet jo shumicë. Shifrat e fundit tregojnë se deri më tani kemi arritur që 9% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë, pra ende nuk kemi mbërri se ku dëshirojmë e duhet, po megjithatë një numër përafërsisht në linjë me përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Kur kam takuar disa prej këtyre të rinjve, më kanë dëshmuar fuqinë e nismave të tilla, në hapat e parë të jetës profesionale të të rinjëve, sepse bëhet fjalë për grupmosha ku përcaktohet rrugëtimi i karrierës, i profesionit, i jetës dhe i përvojave të tyre që ata i marrin në të ardhmen e bëhen kontribut për shoqërinë e për shtetin.
Me punësimin e rinisë nga komunitetet, ne ofrojmë mundësi për ta, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për një shtet më të drejtë. Gjate ditës së sotme, në samit, këtu, do të flasim se në çfarë drejtimi po shkojmë me politikat kundër diskriminimit. Do të bisedohet tema e buxhetimit të nevojshëm për realizimin e të drejtave të komuniteteve – edhe në nivel komunal edhe qendror. Do të flitet për mekanizmat institucional për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor. Do të mësojmë nga përvojat e njëri-tjetrit në ofrimin e shërbimeve që lidhen me komunitetet, por edhe do frymëzohemi nga tregimet e suksesit në luftimin e diskriminimit.
Unë e kuptoj që politika është betejë e ideve, por qeverisja është shërbim demokratik, andaj tek unë mund ta gjeni kryeministrin i cili është këtu si një kryeshërbëtor para se të gjithash e mbi të gjitha, për ata të cilat i kanë nevojat më të mëdha dhe të drejtat më të shkelura. Unë uroj që deri në fund të ditës, nga samiti të dilni me ide të reja, kontakte të dobishme dhe frymëzim të shtuar.
Ju faleminderit.