Kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka thënë se pas skanimit të gjendjes në ministri do ta përpilojnë edhe planin e punës, por sipas tij rendi është të zgjidhet presidenti, raporton Ekonomia Online.
“Do ta përpilojmë edhe planin e punës, por rendi e do që ta bëjmë njëherë një skanim të gjendjes. Është e udhës që ta kemi zgjedhjen e presidentes më pastaj edhe programin Qeverisës”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për marrjen e vaksinës anti-covid, ka thënë se nuk e ka bërë për privilegj, por për të dërguar mesazh inkurajues tek qytetarët.
“Sa i përket vaksinës, po të ishte Pfizer ose Moderna nuk do shkoja, vetëm se ka qenë AstraZeneca që ka një reputacion të dëmtuar, kam shkuar ta marrë i pari vaksinën. Asnjë arsye për t’u privilegjuar, një brend tjetër i vaksinës mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës”, ka deklaruar Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se konstituimi i Komisioneve të Kuvendit është shumë me rëndësi.
Fjalimi i plotë i Kurtit
Jemi në kontekstin politik dhe institucional kur sot kemi një vendim shumë të rëndësishëm bashkërisht e ky është konstituimi i Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, këtë evidentim të trashëgimisë që kemi hasur në kuptimin institucional politik dhe administrativ do ta përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionin e shpalosur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm.
Pra rendi edhe logjik dhe kronologjik i gjërave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se ky është një vit kur e kemi edhe qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës.
Po të ishte ndonjë vit tjetër, nuk do të kishte nevojë të ishte kësisoj, mirëpo tash jemi të bindur që kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara.
Në anën tjetër, në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultateve u pat vonuar 53 ditë. Kësaj radhe ka qenë përafërsisht gjysma e asaj periudhe, 27 ditë dhe përderisa ne herën e kaluar kemi pasur bisedime 4 mujore për koalicionin qeverisës, e nganjëherë në të kaluarën kanë shkuar edhe deri në 6 muaj, kësaj radhe 9 ditë pas certifikimit të rezultateve e kemi votuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si hap i dytë pas hapit të parë që ishte zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.
Pra jemi më shpejtë se çdo herë më herët.
Sa i përket vaksinës, po të ishte vaksina Pfizer ose Moderna unë nuk do të shkoja ta marr. Vetëm për shkak se ka qenë AstraZeneca e cila ka një reputacion të lënduar sot në botë jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës që ta marrë i pari vaksinën Astra Zeneca, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar veten, apo për të qenë thjeshtë i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës kundër COVID 19, mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës.
Ndërkaq, sa u përket çështjeve që u ngritën edhe për menaxhimin e pandemisë në njërën anë, marrjes së vaksinave sidomos, edhe të çështjes së mundësisë së shtrenjtimit të energjisë elektrike ku kemi paradoksin që liberalizimi i tregut rrezikon të na e shtrenjtojë energjinë elektrike në vend se të na e lirojë atë, do të flasin ministrat përkatës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Unë, edhe njëherë ju dëshiroj punë të mbarë, sepse me konstituimin e Komisioneve Parlamentare fillon puna përmbajtjesore e Kuvendit të Republikës dhe ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet, sugjerimet e kritikat.