Kurti thotë se qeveria Haradinaj është pjesëmarrëse në kapjen e shtetit

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 14:02 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarë të Komisionit për Integrime, deputetë të Kuvendit të Kosovës, njohës të çështjeve të integrimit e shumë pjesëmarrës nga shoqëria civile sot kanë organizuar tryezën “Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian–Lëvizja e lirë, Reformat, MSA”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se ekipi negociator i formuar kohëve të fundit po ndihmon rreth forcimit të imunitetit të presidentit Thaçi drejtë pazareve me Serbinë.

“Nuk mund të ketë integrime evropiane pa një integritet vetjak. Nuk kemi pasur asnjëherë një qeveri kaq skandale si kjo e vitit 2018. Mendoj që integrimi evropian është drejtuar në një rrugë të gabuar tashmë. Mendoj që integrimi evropian është drejtuar në një rrugë të gabuar tashmë. Raportet e Kosovës me BE-në kurrë s’kanë qenë më të dobëta se tani. Kohët e fundit Haradinaj ka rë shumë në kurthin e presidentit Thaçi meqenëse ai ka votuar pa rezervë një grup negociator i cili po bëhet dhe po shndërrohet në mbështetje dhe imunitet për presidentit në kuadër të pazareve të tij me Serbinë”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria Haradinaj është pjesëmarrëse në kapjen e shtetit të Kosovës.

“Qeveria aktuale është bërë pjesëmarrëse në kapjen e shtetit. Dhe kjo Kosovë më shumë ka regjim se sa qeverisje të mirë. Udhëheqësit tanë janë toleruar shumë për korrupsionin e tyre paralelisht me aventurat e tyre”, tha Kurti.

Sipas dy anëtarëve të komisionit për integrime, Fatmire Kollçakut dhe Armend Zemajt, Kosova nuk e ka bërë ende as hapin e parë formal drejt arritjes së ndonjë raporti kontraktual me BE-në, dhe se nuk ka ende asnjë vendim për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Fatmire Kollçaku deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se procesi i dialogut ka qenë më shumë një aventurë personale e presidentit Thaçi.

“Është një moment kur duhet të reflektojmë, nuk duhet të themi se zyrtarë të caktuar kanë fajin. Optimizmi i kësaj qeverie ka rezultuar e kundërta e pretendimit të tyre se këtë vit do të ndodh liberalizimi i vizave. Ne nuk e dimë se kur do të ndodh liberalizimi. Kushti kryesor është luftimi i krimit dhe korrupsionit. Por qeveria aktuale nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim. Qëllimi i kësaj tryeze është të nxjerrim disa rekomandime që na shërbejnë ne si deputet që të reflektojmë në këtë drejtim. Procesi i dialogut ka qenë më shumë një aventurë personale e presidentit e cila na ka bërë më shumë dëm se sa që na ka sjellë të mira”, ka thënë Kollçaku.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherësh edhe anëtar i komisonit për Integrime Armend Zemaj tha se në dialogun Kosovë-Serbi po tentohet të shtrohen tema të pakuptimta, të proklamuara nga presidenti Thaçi, si çështja e shkëmbimit të territoreve.

Zemaj kritikë dha edhe për Qeverinë e Kosovës, ku tha se kjo e fundit nuk ka bërë asgjë drejtë luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nevoja që kuvendi të jetë i hapur drejtë përkushtimit të përbashkët tregon domosdoshmëri drejtë mendimit tonë se pse po ndodh kjo ngecje e Kosovës drejtë integrimit evropian. Raportet e BE-së me Kosovën bazohen në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Një dialog i paqartë me tema që ka ngritur shqetësime sidomos tema e pakuptimtë e shkëmbimit të territorit e cila po proklamohet vazhdimisht nga presidenti Thaçi. Edhe ju nga shoqëria civile keni trajtuar raporte lidhur me integrimit në BE dhe kjo besoj që do na ndihmojë shumë neve”, tha Zemaj.

E njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu tha se në drejtim të prioriteteve të reformave të shumta , Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave, që përmban 22 prioritetet për institucionet tona, duket filluar prej sundimit të ligjit deri tek zhvillimi ekonomik,arsimi dhe punësimi, e ku Kosova nga këto 22 prioritete i ka përmbushur vetëm 4.

“Në raport me Kosovën për herë të parë ky raport konkretizohet në një dokument zyrtarë. Por, kur marrim një raport më të prekshëm është raporti vitit 2014 pra udhërrëfyesi drejtë liberalizimit të vizave. Krejt rruga jonë rreth procesit të integrimit bazohet në zbatimin e MSA-së. Në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave, janë 22 prioritete kyçe të dala nga MSA-ja e që ne është dashur t’i kemi të adresuara deri më 2017-n të gjitha, deri më tash nga 22 prioritete vetëm 4 kemi arritur t’i përmbyllim”, tha Kryeziu.

Sipas tij, çështja e vizave është politizuar shumë e kjo po shkaktohet nga politikat gjithëpërfshirëse ku përmes kësaj po mundohen të fitojnë poenë politikë.

“Sundimi i ligjit në Kosovë është problemi më i madh dhe këtë e thonë të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare. Kosova është e kapur dhe korrupsioni është i shpërfaqur në të gjitha nivelet”, tha ai.

Deputeti Korab Sejdiu tha mes dy subjekteve opozitare duhet të krijohet një plan strategjik i cili do ta bënte ç’kapjen e shtetit të Kosovës.

“Ne e dimë shumë mirë që raportet ndërkombëtare Kosovën po e cilësojnë si një shtet të kapur. Por ne nuk kemi as nevojë për raporte të BE-së të tregojmë se ku jemi. Ditët e fundit është bërë një ndarje e definuar e atyre që e donë shtetin dhe atyre që shtetin e shfrytëzojnë për interesa personale. Fillimisht duhet që si dy subjekte opozitare të ulemi së bashku dhe të bëjmë një plan strategji lidhur me atë se si do ta bëjmë ç’kapjen e shtetit. Përgjegjësi e madhe vihet mbi ne si dy subjekte opozitare që të i dalim ballë problemeve të brendshme”, tha Sejdiu.

 

Të ngjashme