Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook, ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e partisë së tij, duke bërë që partitë që tash e disa javë po diskutojnë për koalicion qeverisës, të shkojnë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës (26 dhjetor) pa marrëveshje.
Kurti, duke treguar për pikat që përmbante oferta e tyre e dërguar në adresën e LDK-së më 23 dhjetor, dhe e cila, sipas liderit të VV-së u refuzua më 24 dhjetor, ka thënë se i kanë ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit, që çështjen e Presidentit ta lënë për më vonë dhe që ministria e Kulturës të pësojë ndryshime.
“Mbrëmë na refuzoi LDK-ja, duke na dërguar nesër në Kuvendin e Republikës pa marrëveshje për qeverinë. Është obligim imi moral e politik që të ju njofton që në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojmë pa dakordimin për qeveri. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi arritur t’ia bashkëngjisim edhe atë për ndarje të përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitete”, deklaroi Kurti, raporton Koha.net.
Kurti tha se gjatë negociatave pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, VV-ja i ka bërë katër kompromise të rëndësishme, ndërsa LDK-ja asnjë.
“Zv/kryeministri i Parë do të jetë i LDK-së; pesë ministri në qeveri do të jenë të LDK-së; e cila edhe zgjodhi si të përzgjidhen ato meqë insistonte që medoemos të zgjidhte e para. Oferta e parmbrëmshme që u refuzua dje, ishte koncesioni ynë i pestë. Po ashtu dihet se kemi qenë tejet gjenrozë edhe në përpjekjet tona për koalicionin parazgjedhor në muajt gusht e shtator të këtij viti”, deklaroi më tej Kurti.
Përtej kësaj, Kurti tha se “nuk mundemi, nuk duam dhe s’kemi ku shkojmë”.
“Duam ta ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtësi e bujari, duke lëshuar pe edhe pse fitues, e duke i dhënë subjektit të dytë gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë. Në këto ditë do të dëshironim konstituimin e qeverisë së re, e megjithatë do të na duhet të presim. Pritja i kushton shtetit, shoqërisë, ekonomisë sonë, por ja që po detyrohemi të presim meqenëse nuk dëshirojmë zgjedhje të reja. Çka dëshirojmë janë institucionet e reja dhe aty mund të arrijmë veç nëse në bisedimet për formimin e qeverisë udhëhiqemi, të dyja palët, nga vlerat e transparencës, e drejtësisë dhe nga ndjenja e detyrës qytetare e atdhetare”, potencoi lideri i VV-së.
Në fund, ai tha se LDK-ja e ka në dorë përcaktimin për ndryshim që iu është dhënë këtyre dy partive në zgjedhjet e 6 tetorit.