Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka shkruar letër ndarazi presidentit të SHBA-së Donald Trumpit dhe sekretarit të Shtetit Mike Pompeos para pak ditësh. Përmes tyre Kurti ka njoftuar Trumpin e Pompeon rreth planit për largimin e tarifës, i prezantuar javën që shkoi. Në të dyja letrat Kurti ka theksuar se Qeveria, e drejtuar nga ai, do ta udhëheqë dialogun me Serbinë tash e tutje. Ky proces, siç potencohet në përmbajtjen e këtyre letrave, duhet të përfundojë me njohje reciproke të të dyja shteteve.
Një ditë pasi ka paralajmëruar heqjen e pjesshme të taksës kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti i ka dërguar letër presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeot, me ç’rast i ka informuar ata për planin rreth largimit të tarifës. Në letrat, e dërguara ndarazi më 28 shkurt në drejtim të tyre, Kurti ka thënë se deri tash ka pasur mungesë të koordinimit për përfaqësimin e Kosovës në procesin e negociatave, ndaj tash e tutje dialogun do ta drejtojë Qeveria, respektivisht kryeministri i ri i Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj Kurti ka thënë se Qeveria i sheh raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike, si aleancë që është e bazuar në vlera dhe në interesa thellësisht të përbashkëta. Ndaj kreu i ekzekutivit ka thënë se Qeveria mezi pret që të thellohet partneriteti me SHBA-në, në mënyrë që Kosova së bashku me Shtetet e Bashkuara të punojë në shtimin e mundësive ekonomike, në forcimin e sundimit të ligjit, në rritjen e sigurisë rajonale, si dhe në shtyrjen përpara të dialogut Kosovë – Serbi.
Kurti njofton Trumpin për planin rreth heqjes së taksës
Në letrën e dërguar të premten e javës së kaluar në drejtim të Trumpit kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka njoftuar atë edhe rreth programit qeverisës. Me këtë rast ai ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme të dhënë në drejtim të Kosovës, si dhe për angazhimin drejt krijimit të mundësive ekonomike, të sigurisë dhe të paqes së qëndrueshme në Ballkan. “Programi qeverisës i Qeverisë së Kosovës është i përqendruar në dy shtylla kryesore. E para konsiston në zotimin tonë për ta luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shtylla e dytë, si prioritet kryesor, ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet në letrën e dërguar në drejtim të Trumpit, e cila nga zyra e kryeministrit u publikua tek ditën e djeshme, më 2 mars.
Meqë këto dy procese janë reciprokisht të ndërlidhura, siç theksohet tutje, Kosova e mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për ta zbatuar qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe rritjen e mundësive ekonomike për popullin e Kosovës.
Pjesën e tjetër të letrës Kurti ia ka dedikuar procesit të dialogut. Në kuadër të kësaj kryeministri i Kosovës ka thënë se Qeveria e drejtuar nga ai është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. “Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të të dyja shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe në arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan”, ka theksuar i pari i Qeverisë përmes saj.
Ndërkohë teksa ka njoftuar SHBA-në rreth planit për heqjen e taksës, Kurti ka thënë se ky hap vjen si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin të Kosovës për të punuar afër me SHBA-në në dialogun me Serbinë. “Së këndejmi, duke filluar nga 15 marsi ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht do të hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë”, potencohet në shkresën që Kurti ia ka dërguar Trumpit.
Qeveria, siç thuhet në vazhdim, shpreson se veprimet e Prishtinës do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili duhet të largohen të gjitha barrierat jotarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalohet fushata për çnjohjet e Kosovës. “Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’u përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme, si dhe atyre në të ardhmen”, nënvizohet tutje.
Meqë gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, kjo praktikë siç zotohet Kurti shumë shpejt do të marrë fund me qeverinë e re. “Kjo do të përfundojë me Qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë e ekskluzive për të marrë përsipër udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian për ta çuar përpara këtë proces”, thuhet në vijim.
Kurti i kërkon ndihmë dhe përkrahje Pompeos
Në të njëjtën ditë që i ka shkruar Trumpit kryeministri Albin Kurti letër i ka dërguar edhe sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeos. Teksa e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, shefi i ekzekutivit ka thënë se Qeveria është shumë e vendosur në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por përveç kësaj Qeveria, siç Kurti e ka njoftuar Pompeon, ka edhe prioritete të tjera. “Përveç kësaj, prioritetet kryesore të qeverisë sime do të jenë rritja ekonomike, zgjerimi i investimeve dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Këto dy procese janë të ndërlidhura dhe ne e mirëpresim ndihmën tuaj të vazhdueshme në përpjekjet tona për implementim të qeverisjes së mirë, sundim të ligjit dhe krijimin e mundësive për popullin e Kosovës”, është shprehur ai nëpërmjet letrës.
Tutje ka thënë se gjykatat efikase, profesionale dhe të paanshme janë të domosdoshme për drejtësi dhe sundim të ligjit. “Ne kemi vendosmëri të palëkundur t’u japim fuqi prokurorëve dhe t’i mbrojmë ata në misionin e në detyrat për ta luftuar krimin. Por sigurisht kemi nevojë për përkrahjen dhe për ndihmën tuaj”, ka nënvizuar Kurti.
Gjersa ka folur rreth planit për heqjen e taksës, Kurti në letrën drejtuar Pompeos ka thënë se Kosova e ka të drejtën për ta rikthyer tarifën në periudhë prej 90 ditësh nëse Serbia nuk jep shenja për ndalimin e fushatës së çnjohjeve dhe heqjes së barrierave jotarifore në tregti me Kosovën.