Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, përmes një video, u është drejtuar me një mesazh miqve ndërkombëtarë.
Në adresimin e tij, Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës ka kohë që janë duke e pritur ndryshimin.
Kurti shprehet se me qeverisjen e Vetëvendosjes, do të zbutet shkalla e lartë e papunësisë, duke thënë se fokusi kryesor do të jetë mbrojtja sociale.
Kandidati për kryeministër thotë se VV nuk do të kërkojë fonde nga ndërkombëtarët, por se të njëjtat do të përdoren për rritjen ekonomike të vendit.
“Një shtet i pazhvilluar, i drejtuar nga krimi nuk ka shanse të integrohet në Bashkimin Evropian. Programi ynë ekonomik do të jetë i kombinuar me drejtësinë sociale dhe sundimin e ligjit, për të bërë realitet anëtarësimin në BE”, shprehet Kurti.
Duke folur për formimin e ushtrisë së Kosovës, Kurti ka thënë se janë për një paqe të qëndrueshme dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.
Kurti në fund ka ftuar miqtë ndërkombëtarë që ta lexojnë programin politik të Vetëvendosjes.