Pas konferencës për media, Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve edhe në rrjetin social Facebook, lidhur me shtesat që do të ndahen dhe me një apel.
Kurti ka bërë me dije se do të ketë dyfishim të mbështetjes për muajin prill për të gjitha familjet në asistencë sociale.
Ndërkohë, për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe ata të sektorit privat, do të ketë shtesë nga 100 euro për muajin prill.
Ka njoftuar edhe se kanë filluar të shpërndahen 40 mijë pako ushqimore për shtresat më të cenueshme të shoqërisë.
“Kemi punuar për rritjen e pagës minimale dhe për heqjen e shkallës së parë tatimore në të ardhura personale. Nesër në mbledhjen e Qeverisë së Republikës do të miratojmë projektligjin që ndërlidhet me këtë, dhe do të hapim rrugën për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.
Rreth 100 mijë punëtorë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët”, ka shkruar Kurti.
Në fund, u është drejtuar qytetarëve me një apel. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte vendore dhe që të marrin kuponat fisKal pas çdo pagese.
“Konsumoni produkte vendore sepse asisoj forcohet zinxhiri i ekonomisë dhe punësimit në Kosovë. Merrni kuponat fiskal sa herë që paguani kudo meqë taksat e kontributet tuaja ne ua kthejmë me rishpërndarje”, ka shkruar Kurti.