Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës është vijimësi e UÇK-së dhe si pjesëtarë të Policisë do të jenë pjesë e historisë, raporton Ekonomia Online
Ai në diplomimin e gjeneratës së 58-të të policisë shtoi se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.
Kurti tha se në dy vitet e fundit, Policia e Kosovës ka vijuar me intensitet të madh punën edhe në veri të vendit, që sipas tij, në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për “bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.
“Jam i nderuar dhe i lumtur që gjendem këtu me rastin e diplomimit te 418 kadetëve. Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vendin tonë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim ndaj çdo krimi të organizuar, për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë”.
“Janë arrestuar mbi 3 200 persona për dhunë, vrasje, kanosje e deri në përfshirje për akte terroriste. Aktiviteti i Policisë sonë është shtrirë edhe në veri të vendit. Pesë zyrtarë janë lënduar lehtë e disa të tjerë më rëndë. Të gjitha këto rezultate e sakrifica janë dëshmi se kjo detyrë kërkon bindje të pa kompromis”.
“Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”.
“Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës do jeni pjesë e historisë sonë për të mbrojtur republikën tonë. Zyrtarët policorë që nuk kanë bërë kompromis me ligjin janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga ju. Kemi një qeveri bashkëpunuese e cila do adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Policia jonë do vazhdojë të mbesë në shërbim te qytetarëve çdo ditë. Ju falënderoj për gatishmërinë dhe vendosshmërinë, për qëndrimin dhe vullnetin”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
E nderuara zëvendëskryeministre, Emilija Rexhepi,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
I nderuari ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj,
I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë të Republikës së Kosovës,
I nderuari Besim Kelmendi, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,
I nderuari komandat i KFOR-it, Angelo Ristuccia,
I nderuari zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi,
Të dashur kadetë policorë dhe ju familjarë të tyre të pranishëm këtu,
Të nderuar pjesëmarrës,
Jam i nderuar dhe i lumtur që ndodhem sot këtu mes jush, në këtë ngjarje të rëndësishme për Policinë e Kosovës e për të gjithë neve, me rastin e diplomimit të 418 kadetëve, në përbërje gati të të gjitha komuniteteve të cilët jetojnë në Republikën tonë.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë. Vazhdon të zbatojë me sukses misionin kushtetues që të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve, të mbajë rendin dhe qetësinë publike, të parandalojë dhe ta zbulojë krimin, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, e të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, religjioni, gjinie a moshe.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës, që nga marrja e mandatit, jemi zotuar për luftë të pakompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht atij që është mirëmbajtur me vite në institucione tona. Për luftim ndaj çdo lloj krimi të organizuar, që mbi të gjitha ka rënduar mirëqenien e qytetarëve tanë. Për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë. Policia jonë, për këto dy vite, ka qenë maksimalisht e angazhuar në realizimin e këtyre prioriteteve të përbashkëta.
Rreth 900 operacione policore janë zhvilluar në tërë territorin e vendit tonë. Janë arrestuar mbi 3 mijë e 200 persona për vepra të ndryshme penale, si keqpërdorim të detyrës zyrtare, fajde, ryshfet, kanosje, dhunë, vrasje e deri te arrestimet për sulme ndaj rendit kushtetues e përfshirje në akte terroriste.
Intensiteti i njëjtë i punës së zyrtarëve tanë policorë ka vijuar edhe në veriun e vendit tonë, që në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi. Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë, ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë policorë, nga të cilët 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur, ndërsa një ndodhet aktualisht në tretman mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e arrestimit të kriminelit famëkeq “Llune”.
Të gjitha këto rezultate e sakrifica në garantim të sundimit të rendit dhe të ligjit, janë dëshmi se detyra e secilit polic kërkon përkushtim në detyrë, konsistencë në veprim dhe bindje të pakompromis në respektim të ligjshmërisë.
Të dashur kadetë policorë, që nga sot filloni një epokë të rëndësishme për veten tuaj dhe për vendin tonë.
Ju pret një rrugë e gjatë, me sfida dhe sakrifica para vetes, por asnjëra prej tyre nuk do ta zbehë vullnetin dhe misionin tuaj për të shërbyer. Policia jonë, së cilës ju keni bashkuar, është vijimësi e Ushtrisë sonë Çlirimtare. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë në përpjekjet për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona të përbashkëta për ta ngritur dhe për ta forcuar Republikën tonë.
Rezultatet e sukseset ndër vite të Policisë, vetëmohimi dhe puna e palodhshme e zyrtarëve policorë të 57 gjeneratave para jush, dhe policët e rënë në krye të detyrës, le të jenë udhërrëfyes i punës suaj të përditshme. Zyrtarët policorë që nuk kanë bërë kompromis me ligjin e nuk janë bërë pjesë e proceseve që mbi të gjitha kanë dëmtuar imazhin e kanë cenuar integritetin e Policisë, janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga ju.
Në mbështetje të parezervë keni një qeveri demokratike e bashkëpunuese, e cila asnjëherë nuk do të synojë të minojë rolin tuaj e që do të adresojë secilën sfidë që do të keni para vetes. Sfida juaj është sfida jonë.
Ju uroj përzemërsisht suksese me rastin e diplomimit tuaj. Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe dyert e saj do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë faktor i garantimit të sigurisë dhe të ligjshmërisë në vendin tonë.
Ju falënderoj për gatishmërinë dhe vendosmërinë, për vullnetin dhe synimin për t’i shërbyer ndershmërisht vendit tonë e qytetarëve tanë.
Ju falemnderit.
LEXONI EDHE: