Kryetari i VV-së, Albin Kurti, të gjithë besimtarëve të krishterë ua ka uruar Pashkën.
Kurti tha se Pashka është festë e ngarkuar me domethënien e jetës e cila nuk përfundon, por forcohet, kur jepet për të shpëtuar të tjerët.
“Pra, është një mesazh altruist, nga i cili mund të nxirren mësime të vyeshme në një kohë kur cinizmi e nihilizmi përpiqen të bëhen dominantë”.
“Festat tradicionale të bashkësive tona, të cilat kahmoti i kemi festuar bashkë, na dëshmojnë se dashuria dhe vëllazërimi mes njerëzve jo vetëm që është i mundshëm, por është vetë qëllimësia e njerëzimit. Besimi i fortë se të gjithë jemi krijuar të barabartë, përbën bazën e qëndrimit se pabarazia e shtypja janë të padrejta”.
“Për ne shqiptarët kjo aksiomë e barazisë është mirëkuptuar historikisht si vëllazëri ndërfetare. Në këtë kuptim vëllazëria fetare është bekim për shqiptarët dhe bekim i shqiptarëve për njërin-tjetrin nën dritën e vëllazërisë”.
“Qofshi të lumtur e të gëzuar në këtë ditë feste. Urime për Pashkën, të gjithë besimtarëve”, tha Kurti në rrjetin social Facebook.