Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se këtë përvjetor kujtuan historinë, përkujtuan sakrificën e nderuar lavdinë e atyre që kontribuuan për liri.
Kurti theksoi, se si këtë ditë, shqiptarët duhet të bëhen shpesh bashkë e të punojnë së bashku.
“Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai sugjeroi që shqiptarët t’i gëzohen secilit bashkëkombës dhe të bëhen krah i njëri-tjetrit.
Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar.
Ai uroi edhe Ditën e Forcës së Kosovës, që u shënua dje, më 27 nëntor, duke thënë se qeveria e tanishme ka ndarë 123 milionë euro për ushtrinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si ndarjen më të lartë buxhetore për këtë kategori.
“Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë”, ka shtuar ai.
Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.