Kryeministri Albin Kurti ka uruar ditën ndërkombëtare të mamive.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti ka thënë se kjo ditë për herë të parë u shënua në vitin 1991 dhe kishte si qëllim njohjen e rolit të mamive në kujdesin shëndetësor.
Më poshtë edhe postimi i plotë.
5 Maj, Dita Ndërkombëtare e Mamive
Dita Ndërkombëtare e Mamive u shënua për herë të parë në vitin 1991 dhe kishte si qëllim njohjen e rolit të mamive në kujdesin shëndetësor.
Mamitë shpëtojnë miliona jetë çdo vit, duke ofruar shërbime dhe këshillime për pacientët, dhe kanë rol të pazëvendësueshëm në shumë raste, e sidomos të sjelljes në jetë të foshnjeve.
Kujdesi i ofruar nga mamitë, për gratë dhe fëmijët e tyre, është një investim në familje dhe komunitet, që nxit rritjen e shëndetshme dhe mirëqenien për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Raporti i fundit mbi Gjendjen e Mamive në Botë, i përpiluar nga UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Konfederata Ndërkombëtare e Mamive, tregon se rritja e numrit të mamive do të ndikonte të shpëtoheshin rreth 4.3 milionë jetë në vit deri më 2035.
Mbulimi universal i ndërhyrjeve nga mamitë deri në vitin 2035, do të shmangte 67 për qind të vdekjeve të nënave, thuhet në raport.
Mamitë (si dhe ato të kualifikuara në obstetrikë) janë kujdestaret kryesore të grave dhe të sapolindurve të tyre gjatë shtatzënisë, punës, lindjes së fëmijës dhe periudhës së paslindjes.
Sipas eksperteve, vdekshmëria e nënës dhe e foshnjes në mbarë botën ka rënë vazhdimisht që nga viti 1990. Megjithatë, qindra mijë gra dhe të sapolindur vdesin ende çdo vit gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve janë për shkak të komplikimeve dhe sëmundjeve që mund të ishin parandaluar nga kujdesi i duhur para lindjes dhe kujdesi obstetrik, shumica e këtyre shërbimeve të ofruara pikërisht nga mamitë.
Do të bëjmë ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, që do t’u mundësojë mamive të sigurojnë kujdes me respekt, duke pasur parasysh se mamia luan rol thelbësor për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin e nënës dhe të neonatit, dhe shëndetin e adoleshentëve. Po ashtu, programet tona do të bazohen në investime të drejtëpërdrejta në maternitete, ku ka nevojë për mbështetje me pajisje dhe ndërhyrje në infrastructure, si dhe në trajnimet e stafeve të mjekëve, infermierëve dhe mamive.