Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vetëm dokumentet që prodhohen në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi, duhet të merren si zyrtare, raporton Ekonomia Online.
Kjo përgjigje e tij vjen pasi në disa media është publikuar një “kornizë e re” e për dialogun.
I pari i qeverisë ndër të tjera tha se Kosova nuk i ka raportet normale me Serbinë, por duhet t’i normalizojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme e që në qendër të saj duhet të jetë njohja reciproke.
“Është evidente që Kosova është vendi më demokratik dhe më i pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe këtë e thonë edhe organizatat e ndryshme prestigjioze. Ne jemi shtet serioz, jemi shtet sovran, jemi të pavarur, më të pavarur se Serbia sepse Serbia ka varësi nga Rusia dhe duke qenë se e luftojmë më së shumti krimin dhe korrupsionin dhe kemi pasur më së paku krim dhe korrupsion krahasuar me të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor dhe duke pasur sjelljen sovrane të qeverisë sonë, natyrisht që ne e konfirmojnë që Kosova është në rregull. Ajo që unë e pranoj është që raportet me Serbinë nuk i kemi normale. Raportet duhet t’i normalizojmë, ky normalizim i raporteve duhet të bëhet me marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht ligjërisht të obligueshme me ç’rast në qendër të saj duhet të jetë njohja reciproke”.
“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, unë besoj që nuk është as e dobishme as e drejt që unë t’i komentoj ato dokumente që s’kanë autor. Dialogu ku unë marr pjesë janë ato bisedimet e takimeve në Bruksel dhe vetëm atje dokumentet që prodhohen duhet t’i merrni si zyrtare dhe të denja për t’u komentuar nga ana ime e unë nganjëherë do të thosha edhe nga ana juaj. S’është mirë të bëjmë komente për komente autori i të cilëve nuk dihet. S’kam qëndrim të ri për çështjen e Ballkanit të Hapur që mund t’i ofroj përgjigje të re”, tha Kurti.