Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), i udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot takimin e gjashtë me radhë.
Kësaj radhe pjesë e takimit ishin edhe donatorët ndërkombëtarë, të cilët kryeministri i falënderoi për mbështetjen financiare, ndarjen e përvojave nga vendet e tyre, si dhe ofrimin e asistencës teknike në zbatimin e sistemit tonë të AAP-së, elemente të cilat kanë qenë thelbësore në progresin tonë deri tani.
Derisa vitin e kaluar për herë të parë filluam mësimin dual në katër shkolla profesionale, me katër profile në tre komuna të ndryshme, këtë vit akademik, 2023-2024, arsimin dual e zgjeruam në 12 profile të reja, nga katër shkolla kaluam në 21 shkolla, dhe nga tre komuna arritëm në tash 14 gjithandej Kosovës.
Në fokus të këtij diskutimi ishte përgatitja e mbi 800 nxënëseve në angazhimin e tyre në kompani të përshtatshme për t’iu nënshtruar pjesës praktike të arsimimit dual, në semestrin e dytë, me përvojat e të cilëve do të arrijmë të hartojmë dhe zbatojmë një strategji koherente.
Kryeministri Kurti përsëriti se zbatimi i AAP-së, pra ofrimi i mundësisë për çdo të ri e të re, për të ndjekur shkollimin profesional dhe të mësoj zanatin që dëshiron është një premtim kyç i Qeverisë, i cili premton fuqi punëtore të kualifikuar për industritë tona që rrjedhimisht i shërben rritjes ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Në praninë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kemlendi, zëvendësministrave të Financave, Punës dhe Transfereve, Getoar Mjeku dhe Agon Dobruna, si dhe anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv, u shpalosën rezultatet dhe planet për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
Të nderuar zëvendësministra Kelmendi, Mjeku e Dobruna,
Të nderuar partnerë zhvillimor,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë të ju mirëpres të gjithëve në mbledhjen e gjashtë të Komitetit Ekzekutiv për zhvillimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) për nevojat e tregut të punës në Republikën e Kosovës. Kësaj radhe kemi kënaqësinë të kemi donatoret ndërkombëtare me ne, për të bashkëbiseduar sidomos lidhur me strukturimin e bashkëpunimit mes shkollave dhe kompanive, si dhe rritjen e kapaciteteve brenda shkollave për të mundësuar zbatimin e sistemit të arsimit dual, duke i lidhur nxënësit me kompanitë sa më parë.
Por së pari dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë si Qeveri, ndaj donatorëve ndërkombëtarë për kontributin e tyre të çmuar. Mbështetja e juaj financiare, ndarja e përvojave nga vendet e juaja, si dhe ofrimi i asistencës teknike në zbatimin e sistemit tonë të AAP-së, kanë qenë thelbësore në progresin tonë deri tani.
Dua të shpreh vlerësimin tim të përzemërt për secilin prej jush që jeni pjesë integrale e këtij reformimi të qeverisjes së AAP-së.
Zbatimi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, pra ofrimi i mundësive për çdo të ri e të re, për të ndjekur shkollimin profesional dhe të mësoj zanatin që dëshiron është një premtim kyç i Qeverisë sonë. Është e qartë se pa një sistem të duhur të AAP-së, nuk do të ketë fuqi të mjaftueshme punëtore të kualifikuar për industritë tona. Kjo do t’i shërbente rritjes ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Vitin e kaluar për herë të parë filluam mësimin dual në 4 shkolla profesionale, me 4 profile në 3 komuna të ndryshme. Vitin akademik 2023-2024 të arsimit dual e zgjeruam edhe me 8 profile të reja, pra trefishim të profileve, me gjithsej 12, nga 4 shkolla kaluam në 21 shkolla, pra më shumë se pesëfishim, dhe nga 3 komuna kaluam në 14 komuna anë e mbanë Kosovës. Ky është një hap tejet i rëndësishëm për lidhjen e arsimit me tregun e punës.
Tani jam kureshtar të dëgjoj për përgatitjet rreth angazhimit të mbi 800 nxënëseve në kompani të përshtatshme për t’iu nënshtruar pjesës praktike të arsimimit dual, në semestrin e dytë. Kjo fazë është ende në etapën pilotuese dhe kemi besim se me përvojat e marra nga mbi 800 nxënës do të arrijmë të hartojmë dhe zbatojmë një strategji koherente.
Për këtë është thelbësore që ne të koordinojmë mbështetjen financiare dhe teknike të donatoreve ndërkombëtarë. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të AAP-së që plotëson kërkesat e tregut tonë të punës.
Edhe një herë ju falënderoj të gjithëve për praninë dhe përkushtimin tuaj në këtë çështje të rëndësishme. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritshme për Republikën e Kosovës.
Me këtë, dua t’ia kaloj fjalën tash Zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Taulant Kelmendi, i cili do të elaborojë fazën e ardhshme të këtij viti shkollor.
Ju falemnderit.