Kurti: Vitin po e mbyllim me rreth 10% rritje ekonomike, për tetë muaj i kemi marrë 394 vendime

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 14:25 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se po e mbyllin vitin me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të hyrave prej 33%, raporton Ekonomia Online.

Krejt kjo sipas tij, si rezultat i qeverisjes së mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.  

Për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni, u shpreh kryeministri Kurti, e që ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Dje kishim mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërkaq pardje janë mbushur tetë muaj që jam në detyrë, me ç ‘rast janë marrë 394 vendime deri më tani dhe mund të them se Ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje ekonomike më të lartë sesa në vitin 2021”.

“Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të të hyrave prej 33%. Të dyja këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, e veçanërisht për Qeverinë”.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Dje kishim mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërkaq pardje janë mbushur tetë muaj që jam në detyrë, me ç ‘rast janë marrë 394 vendime deri më tani dhe mund të them se Ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje ekonomike më të lartë sesa në vitin 2021. Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të të hyrave prej 33%. Të dyja këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, e veçanërisht për Qeverinë. 

Vitin që po lëmë pas e gjetëm me borxhe e me projekte të dëmshme për vendin: 

–       kemi anuluar vendimin për shpronësimet në autostradën e Dukagjinit, segmenti Kijevë-Zahaq, e cila sipas raportit të auditorit doli se kishte fryrje të çmimeve;

–       kemi gjetur ndarje buxhetore nëpër projekte kapitale të pamaturuara në një kohë pandemie e në anën tjetër shkurtime buxhetore pikërisht për institucionet shëndetësore, si SHSKUK e Ministria e Shëndetësisë – mungesë buxhetore për barna esenciale;

–       kemi gjetur një program të rimëkëmbjes ekonomike, i cili ka ndihmuar pikërisht ata që janë prekur më së paku nga pandemia; e të tjera të ngjashme.

Mirëpo, për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni. Një buxhet, i cili ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete.

Në mënyrë specifike, buxheti për vitin 2022 do të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 364 milionë euro. Kemi ndarë 388 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 285 milionë euro në “Mallra dhe Shërbime”, 873 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere”, 556 milionë euro në “Shpenzime Kapitale” dhe në “Shpenzimet Komunale” kemi ndarë 19 milionë euro.

Për sa i përket projekteve specifike, pra ato që reflektojnë Programin tonë Qeverisës:

Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët, dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën e hulumtimin.

Kemi shtuar 35 milionë euro tek pensionet dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesa për skemat sociale prej 30% të bëhet e përhershme.

Kemi shtuar edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale.

Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro.

Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për shumë vite.

Me këtë buxhet, ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur, e gratë të integrohen në tregun e punës.

Me këtë buxhet, ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë.

Kemi ndarë 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, dhe do të mbështesim bizneset startup dhe ato në teknologji informative.

Për herë të parë, kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtetet aleate.

Kemi rritur buxhetin për bujqësinë në mbi 70 milionë euro për herë të parë, dhe me grantet e donatorëve, mbështetja totale do të rritet edhe më shumë.

Prodhuesit vendorë do t’i mbështesim me 40 milionë euro, për të zgjeruar kapacitetet, për të rritur cilësinë dhe për të gjetur tregje për eksport.

40 milionë euro tjera i kemi ndarë për të financuar investimet në ndërmarrjet publike, në Trepçë e Telekom, ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenies.

10 milionë euro i kemi ndarë për pajisje moderne për Policinë dhe Zjarrfikësit dhe 10 milionë për rezervat shtetërore, të cilat në njërën anë shërbejnë si treg për prodhuesit vendas, ndërkaq në anën tjetër e imunizojnë ekonominë tonë nga fluktuimet e çmimeve në bursën ndërkombëtare.

Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej mbi 100 milionë eurosh, apo 1.3% e Bruto Produktit Vendor (BPV) dhe synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të BPV-së, aq sa e kërkon standardi i NATO-s.

Përveç ndarjeve buxhetore, të cilat kanë për fokus forcimin e sigurisë së vendit, avancimin e arsimit e përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, projektligji për vitin 2022 ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike dhe ruajtjes së stabilitetit makrofiskal, për të cilat Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ju informon detajisht përgjatë kësaj seance të sotme plenare.

Tek tani po e vërejmë se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje, që nuk keqpërdorë dhe nuk abuzon me paranë publike. Për një qeverisje, që synim parësor ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, e si rezultat ngritjen e mirëqenies qytetare.

Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

Pra, pardje i kemi mbushur tetë muaj dhe kemi sjellë vendime për gjithsej 90 projektligje dhe padyshim që optimizmi dhe shpresa që kemi ne në krye të institucioneve dhe atë që e kanë qytetarët, i kontribuon edhe aspektit socio-ekonomik të vendit tonë.

Ju faleminderit. 

Të ngjashme