Kurti viziton ARBK-në dhe vartësen e tij, Rozetën

Prishtinë | 31 Jan 2024 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me zëvendësministrat z. Mentor Arifaj dhe z. Resul Makreshi, vizituan Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas një njoftimi dërguar në mbrëmje nga MINT, kryeministri Kurti, gjatë kësaj vizite u njoftua nga afër me punën dhe shërbimet që ARBK ofron dhe planet për digjitalizim të shërbimeve në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse.

“Drejtorja e ARBK-së, znj. Lebibe Haliti e njoftoi Kryeministrin poashtu për ndryshimet e fundit për lehtësimin e procesit të marrjes së shërbimeve nga qytetarët, përkatësisht bizneset”.

Sipas komunikatës, shërbimet e ARBK-së do të plotësohen edhe më shumë, përmes dy ligjeve të reja, Ligjit për Pronarët Përfitues, tani në proces të miratimit në Kuvend dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i finalizuar dhe për miratim në Qeveri.

“Pas vizitës në ARBK, Kryeministri Kurti u mirëprit në kabinetin e Ministres Hajdari me kolegë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku Ministrja Hajdari bashkëbisedoi me Kryeministrin Kurti për objektivat dhe veprimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vitin 2024” thuhet në njoftim.

Të ngjashme