Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin e tij qeverisës, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava, raporton Ekonomia Online.
Duke shprehur mirënjohje dhe falënderuar BIK-un e Myftiun Tërnava, kryeministri Kurti veçoi lartë rolin dhe angazhimin e tyre, që dhurojnë në vazhdimësi bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë.
Kryeministri uroi besimtarët festën e Bajramit, siç e quajti ai festë të sakrificës, duke inkurajuar të gjithë për solidaritet e mirëqenie të përbashkët.
“Për festën e Kurban Bajramit vizitën e parë e bëmë në Bashkësinë Islame për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij, për t’iu falënderuar përsëri për rolin, angazhimin, kontributin që edhe Bashkësia Islame edhe vet Myftiu si udhëheqës e ka luajtur në vazhdimësi, dhe gjithashtu për të uruar njëkohësisht të gjithë besimtarëve për këtë festë të sakrificës. Të mirat duke i ndarë shtohen, nuk zvogëlohen sepse të mirat duke i ndarë bëhen të mira për më shumë vetë, bëhen të mira për shumicën, bëhen të mira për të gjithë. Andaj edhe mirëqenien duhet ta ndajmë e sakrifica ia vlen, e nuk ka ditë më të përshtatshme për ta kujtuar këtë dhe për ta konkretizuar sesa festa e Kurban Bajramit”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu zbuloi se do shkojë për “të bërë Bajram me policët e liruar nga Serbia” pasi myftiu e përgëzoi dhe e uroi për lirimin e tyre.