Kurti viziton dy foshnjet që lindën në momentet e ndërrimit të motmoteve

Prishtinë | 01 Jan 2024 | 02:53 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë, ku gjatë ndërrimit të motmoteve kanë lindur dy foshnje.

“Rajana, vajza e Mjellmës, lindi pesë minuta para mesnatës, ndërkaq Naroni, djali i Aurelës, lindi pesë minuta pas mesnatës”, ka shkruar Kurti.

“Të dy foshnjet sikurse të dyja nënat janë shëndosh e mirë; urojmë që kështu të jenë përherë dhe me jetë të gjatë! Në çdo institucion shtetëror sonte kemi zyrtarët kujdestarë të cilët punojnë që ne të tjerët të mund të festojmë. Falenderoj Drejtorin Dr. Zef Ndrejaj dhe gjithë personelin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për angazhimin e pakursyer dhe mikpritjen e përzemërt”.

Kurti ka shfrytëzuar edhe këtë rast për të promovuar punët e mira, që sipas tij po bën Qeveria.

“Ministria e Shëndetësisë po e renovon tërësisht Repartin e Gjinekologjisë përmes investimit në vlerë dy milionë e gjysmë euro. Do të ofrohen kushte dinjitoze për nënat e reja dhe mjedise moderne për mjekët e infermierët. Në këtë vit edhe repartet tjera do ta kenë të njëjtin fat sepse shëndetësia është prioritet i yni”.

“Urime familjarëve dhe gëzuar 2024!”

Të ngjashme