Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar për ngushëllime familjen Bllaca, me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit Nysret Bllaca, veteran i arsimit dhe personalitet i njohur i komunitetit.
Gjatë vizitës, Kurti vlerësoi lart figurën dhe kontributin e profesorit të ndjerë, duke theksuar se familja Bllaca përfaqëson “simbol të forcës, durimit dhe qëndresës së prindërve që kurrë nuk reshtën së kërkuari drejtësinë”.
Profesori Nysret Bllaca dhe bashkëshortja e tij, profesoreshë Hava Bllaca, ishin prindër të Ardit Bllacës, i zhdukur me dhunë në moshën 18-vjeçare gjatë luftës në Kosovë. Bashkë me Arditin, në prill të vitit 1999, u vra edhe nipi i profesorit, Alban Bllaca.
“Kujtimi për profesorin Nysret mbetet i paharrueshëm. Ai ishte një personalitet i nderuar, me gjurmë të pashlyeshme në komunitet dhe me kontribut të çmuar në fushën e arsimit”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti i shprehu familjes Bllaca ngushëllimet më të sinqerta dhe i siguroi se “institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë me përkushtim kërkimin për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, derisa drejtësia të vihet në vend”.