Kurti: Vonesat në zgjerimin e BE-së rrisin rreziqet gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar nevojën për unitet, qartësi dhe vendimmarrje të guximshme nga liderët progresistë evropianë përballë sfidave të shtuara gjeopolitike.

Gjatë një paneli me temën “Ku përfundon Evropa, vizion dhe pragmatizëm në kohë trazirash gjeopolitike”, Kurti deklaroi se Ballkani Perëndimor nuk duhet të trajtohet si periferi, por si pjesë integrale e Evropës, duke theksuar lidhjet historike, kulturore dhe politike të rajonit me kontinentin.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimi Evropian është më shumë se një aspiratë për Kosovën dhe rajonin, duke e cilësuar atë si domosdoshmëri për forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe garantimin e sigurisë afatgjatë.

“Si kryeministër i një vendi nga Ballkani Perëndimor siç është Republika e Kosovës, ndava bindjen se rajoni ynë nuk duhet të shihet si periferi e Evropës, por si pjesë integrale e saj, historikisht, kulturalisht dhe politikisht. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm aspiratë, por nevojë për demokraci më të fortë, zhvillim ekonomik dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin dhe vetë kontinentin”, shkroi Kurti.

Kurti paralajmëroi gjithashtu se vonesat në procesin e integrimit evropian krijojnë hapësirë për ndikime të jashtme dhe rreziqe gjeopolitike, duke bërë thirrje për një qasje më të shpejtë dhe më të vendosur ndaj zgjerimit të BE-së.

Në fjalën e tij, ai theksoi se Evropa nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një projekt vlerash që, sipas tij, shtrihet nga vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vijat e frontit të solidaritetit në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji, aty ku mbrohen parimet demokratike.

Të ngjashme