Kryeministri Albin Kurti ka treguar se si ka ardhur vendimi deri tek shtyrja për 48 orë e çështjes së targave.
Kurti, ka thënë se nuk ka arsye që dikush të befasohet se pse ambasadori amerikan në një situatë konkrete të sigurisë ka pasur më shumë informacione se vetë ai.
Kurti tha se ShBA-të e kanë ambasadën edhe në Serbi edhe në Kosovë, teksa tha se nuk e di pse njerëzit shtiren të befasuar se ambasadori paska pasur informacion më shumë sesa vetë ai.
Ai më tej kritikoi edhe deputetët e LDK-së që nuk janë në sallën e kuvendit, ku tha se ai jo vetëm që po e informon kuvendin, por edhe po kërkon pjesëmarrje.
“Isha duke u kthyer nga Tirana për në Kosovë kur me thirri ambasadori amerikan. Ai nuk më tha se Kosova e ka keq, ai tha se Kosova është në rregull, por çfarë e pret atë mëngjesin e së nesërmes”.
“Më tha ta shtyjë për 48 orë vendimin, nuk më tha shtyje për dhjetë muaj. Unë e shtyva për 48 orë, dhe brenda atyre orëve deklarata e Josep Borrell ndryshoi krejtësisht”, tha Kurti para deputetëve të Kuvendit.
Ambasadorit Jeff Hovenier më 22 nëntor, në ora 00:19 minuta, i kërkoi Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë.
Hovenier tha se këtë kërkesë ia ka bërë qeverisë për t’i lejuar ShBA-të dhe BE-në që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai në Twitter