Kurti: Zgjedhjet më 2025, opozita nuk mund t’i shtyjë vazhdimisht – Do ta fitojmë edhe kampionatin edhe kupën!

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 19:47 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosja ka mbajtur tubim në shënim të 19-vjetorit të themelimit, me ç’rast kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i kësaj partie, thuri lavde për mërgatën teksa tha se pa ndihmën e tyre, si parti nuk do t’i fitonin zgjedhjet e kaluara dhe shtysë e madhe për këtë ka qenë pikërisht mërgata.

“Pa mërgatën jo vetëm që ne nuk do t’i fitonim zgjedhjet, por edhe shumë familje tona nuk do kishin dalë në fund të muajit. Mërgata është thesar kombëtar, ajo sjell kulturë demokratizuese në shoqërinë tonë”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.

Në fjalim e tutje, Kurti u foli pjesëmarrësve në tubim edhe për zgjedhjet në vitin 2025, duke iu thënë se duhet të jenë të gatshëm dhe të përshtatshëm për zgjedhjet e reja.

Ai duke ironizuar tha se opozita nuk mund t’i shtyjë ato vazhdimisht.

Kurti foli për strukturimin politik të organizatës, dhe duke kujtuar vitin tjetër që do të jetë vit i zgjedhjeve por edhe vit jubilar i 20 vjetorit të LVV-së ai u shërbye me një shembull nga futbolli për të uruar që ky subjekt ta fitojë edhe kampionatin edhe kupën!

“Të dashur shoqe dhe shokë të Lëvizjes, çdo vit e më shumë, strukturimi ynë forcohet dhe zgjerohet. Numri i anëtarësisë së Lëvizjes sot është mbi 60.500 anëtarë. Anëtarësia jonë është e shtrirë në rreth 1120 fshatra dhe lagje të qyteteve, dhe puna për strukturim në pika e në qendra, vazhdon. Kjo është një punë që kurrë nuk duhet të ndalet, pasi strukturimi politik është strukturim i frymës dhe i idesë. Nuk është si ndërtesat, të cilave pasi ua ngre themelet, muret e kulmin, qëndrojnë vetë. Strukturimi politik ka vazhdimisht nevojë për diskutime, lexime, takime, aktivitete, debate. Aty fillon demokracia e vërtetë. Ata që thonë se demokracia ndodh jashtë partive, gabohen. Në vendet ku nuk ka parti politike, apo ku partitë politike nuk janë demokratike, aty nuk ka as demokraci. Prandaj, kur punojmë për të rritur strukturimin demokratik brenda subjektit tonë, në fakt punojmë dhe kontribuojmë për të rritur dhe forcuar demokracinë në Kosovën tonë, në shoqëri dhe brenda kombit tonë”, tha ai.

“Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20-vjetorin e Lëvizje Vetëvendosje, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike, dhe të gjithë po shohim me shumë kënaqësi Shqipërinë tonë që i urojmë fitore në Gjermani, më lejoni ta marr një shembull nga futbolli edhe për zgjedhjet që do të jenë në vitin 2025. Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Le ta fitojë Vetëvendosja në 2025 edhe kampionatin edhe kupën. Kjo kërkon të jemi të gatshëm dhe të përshtatshëm, të guximshëm dhe të disiplinuar, për lojë ekipore por edhe për shkëlqim individual. Jam i sigurt që bashkë me ju, do t´ia dalim. Kosova ka nevojë për zhvillim e ndryshim sa më të shpejtë, për sovranitet e demokraci sa më të fortë, për identitet e bashkim sa më të madh, dhe këtë mision do ta realizojmë vetëm së bashku, me nder e punë, gjithnjë, kudo, të gjithë ne”, tha Kurti.

Të ngjashme