Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në dekorimin e Pemës pranë ndërtesës së Qeverisë, në shënim të Ditës Botërore të Autizmit, së bashku me përfaqësues të organizatave të Autizmit, prindër, pedagogë e fëmijë, raporton Ekonomia Online.
“Ne sot po e organizojmë dhe zotohemi për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha obligimeve tona për mbrojtjen, për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, e në veçanti për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara apo me nevoja të veçanta”, tha kryeministri Kurti.
Duke folur për përkushtimin e Qeverisë, kryeministri tha se në vitin 2022, janë punësuar 100 asistentë në shumicën e shkollave në vend për fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërkaq këtë vit do të punësohen edhe 300 të tjerë përfshirë edhe pedagogët të cilët do të kujdesen për personat me autizëm, për fëmijët me autizëm.
Poashtu, kryeministri theksoi faktin se në vitin e kaluar kemi punësuar 239 persona me aftësi të kufizuara, 120 gra dhe 119 burra, përmes masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, se dhe dëshirojmë që këtë ta vazhdojmë edhe në vijim, duke inkurajuar të gjithë ndërmarrësit në sektorin privat që të punësojnë sa më shumë persona me aftësi të kufizuara.
Më tej, kryeministri potencoi se Qeveria ka ndërmarrë iniciativa ligjore në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara sikurse ai për Ligjin për Edukimin në fëmijërinë e hershme, që pritet që shumë shpejt të aprovohet edhe në Kuvendin e Republikës, si dhe së fundmi edhe propozimin për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, për përfshirjen e Konventës së të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ai falënderoi organizatat “Autizmi” dhe “Anak” për bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet dhe për punën e tyre.
“Duhet të punojmë bashkërisht edhe si institucione dhe si shoqëri për krijimin e kushteve sa më të mira për personat me aftësi të kufizuara dhe në këtë mënyrë 2 prilli të mos jetë vetëm dita botërore e autizmit, por ta shndërrojmë në ditë të përditshme të angazhimit dhe të përkushtimit tonë për personat me autizëm që janë fëmijë të të gjithë neve e jo vetëm të familjeve të tyre”, tha kryeministri Kurti, para të pranishmëve në aktivitetin e sotëm në oborrin e Qeverisë.