Kurti përshëndet lirimin e aktivistëve të VV-së nga akuzat për terrorizëm: Drejtësi e vonuar, tani përgjegjësit e rastit Dehari duhet të japin llogari

Prishtinë | 27 Dhj 2022 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Albin Kurti ka reaguar pasi 6 aktivistë e ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u shpallën të pafajshëm nga akuza për sulm me zollë në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2016.

Kryeministri dhe kyetari i Vetëvendosjei tha se edhe pse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final.

“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final” tha kryeministri.

Ai gjithashtu përmendi edhe aktivistin, tashmë të ndjerë, Astrit Deharin ku tha se ai ishte marrë në burg për këtë akuzë dhe sot kjo akuzë bjen terësisht.

“Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik” tha Kurti në postim.

Të ngjashme