Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur, gjatë luftës në Kosovë, i kanë bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të punojë në zbardhjen e fatit të tyre. Ata kanë kërkuar që nëse është e nevojshme me këtë çështje të kushtëzohet vazhdimi i dialogut me Serbinë. Kurse, ekzekutivi i ri ka thënë se që në ditët e para të tij kanë nisur takimet me familjarët dhe organizatat që merren me këtë çështje.
Marsi dhe prilli janë muajt e përkujtimit të masakrave më të mëdha gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pikërisht në këtë periudhë, familjarët e personave të pagjetur kanë bërë një tjetër thirrje që të zgjidhet fati i mbi 1 mijë e 600 personave.
Një apel i tillë është bërë ndaj partisë që drejton qeverinë, përkatësisht Lëvizjes Vetëvendosje nga kryetari i Këshillit të Familjarëve të Personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci. Ai ka kërkuar që VV-ja gjatë qeverisjes së vendit t’i mbajë premtimet e dhëna.
“Qeveria Kurti gjithherë edhe gjatë fushatës e ka pasur këtë moto që të zgjidhet problemi i personave të zhdukur dhe gjithsesi duhet ta kushtëzojë Serbinë, por nëse është e nevojshme edhe bisedimet për çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë Grajqevci.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti thotë se kjo çështje është një nga prioritetet e para të saj. Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, ka thënë se veprimet për gjetjen e trupave duhet të vazhdojnë.
“Ne që në javën e parë të marrjes së detyrës kemi filluar takimet me familjarët dhe organizatat relevante për të diskutuar këtë temë. Jemi të angazhuar që procesi i gërmimeve të vazhdojë sa më parë. Do t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim apo lajm në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e tij.
Vazhdimi i gërmimeve në Kizhevak të Serbisë është paralajmëruar të bëhet brenda disa ditësh. Për këtë qëllim, të enjten është zhvilluar një takim ndërmjet mjekëve ligjorë të Kosovës dhe të Serbisë.
Me pjesëmarrjen edhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në takim është diskutuar edhe mundësia e sigurimit të imazheve satelitore për disa lokacione në Serbi të dyshuara si varreza masive.
Nga takimi nuk është nxjerrë ndonjë datë se kur do të mund të vazhdonin gërmimet.