Juristja e medias, Flutura Kusari ka parashtruar ankesë ditën e sotme në Komisionin e Pavarur për Media ndaj reality show-it “Big Brother” si dhe televizionit Klan Kosova, ndërsa thotë se ka kërkuar që këtyre të fundit t’u shqiptohet gjoba më e lartë financiare për shkelje të nenit 3 të Kodit të Etikës.
Në postimin e bërë në Facebook, Kusari ka thënë se liria e shprehjes dhe liria e medias s’janë absoluta dhe kanë përgjegjësi, e sipas saj, Klan Kosova duhet që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në përputhje me normat etike.
“Sapo parashtrova ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova. Liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute. Këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi dhe është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Tutje ajo thotë se vendimi i Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovim atij është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.
“Vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovimi i tij në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.
Kërkova nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nënit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës nr. KKPM-2016/03.
Ky do të jetë një rast kyç (landmark case) për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion”, ka shkruar Kusari.